Kafshët në Kopshtin Zoologjik të Guadalajarës bënë parashikimet e tyre për disa nga ndeshjet e Kupës së Botës që do të zhvillohen në qytetin pritës në Meksikë.
Meksika është gati për të dhuruar emocionet e Kupës së Botës 2026 dhe një rol kryesor pritet të kenë edhe kafshët parashikuese. Elefantë, gorilla, kapibara, papagaj, puma dhe gjirafa morën pjesë në këtë iniciativë, duke zgjedhur mes flamujve, fanellave, kutive dhe topave të futbollit që përfaqësonin kombëtare të ndryshme.
Kafshët u lanë të zgjedhin lirisht ekipet që, sipas tyre, do të triumfojnë në ndeshjet e planifikuara në Guadalajara, si dhe në ato ku përfshihet kombëtarja e Meksikës. Elefantët Shanti dhe Kenia parashikuan një fitore të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut, duke zgjedhur flamurin meksikan.
Ndërkohë, gorillat treguan preferencë për Uruguain në përballjen kundër Spanjës.
Një nga momentet më të veçanta ishte parashikimi i kapibarave për ndeshjen mes Meksikës dhe Koresë së Jugut. Sipas organizatorëve, asnjëra prej kutive që përfaqësonin skuadrat nuk u hap, duke u interpretuar si një barazim.
Papagajtë, nga ana tjetër, zgjodhën Meksikën si fituese ndaj Republikës Çeke. Vazquez tha se papagalli Nova tregoi vazhdimisht mbështetje për ekipin meksikan gjatë disa provave të ndryshme.
Në parashikime të tjera, puma shtyu topin drejt simbolit të Koresë së Jugut në ndeshjen kundër Republikës Çeke. Gjirafat zgjodhën Republikën Demokratike të Kongos si fituese përballë Kolumbisë.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.


