Tuesday, June 9, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREKonfirmohet lajmi i 'Shkodra Sport', Fangaj zyrtarisht pjesë e Teutës

Konfirmohet lajmi i ‘Shkodra Sport’, Fangaj zyrtarisht pjesë e Teutës

Shkruar nga Endri ÇINARI

Abdurrahman Fangaj do të jetë pjesë e Teutës në sezonin 2026/27, duke nisur kështu një aventurë të re në karrierën e tij. Mbrojtësi shkodran ka vendosur t’i bashkohet skuadrës durrsake, aty ku do të gjejë edhe trajnerin Edlir Tetova, me të cilin synon të ndërtojë një kapitull të suksesshëm në elitën e futbollit shqiptar. Kalimi i tij te Teuta konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos verore për klubin bregdetar.

Fangaj largohet kështu nga Egnatia pas katër sezonesh të mbushura me suksese. Gjatë periudhës së tij në Rrogozhinë, ai u shndërrua në një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës, duke kontribuar në ngritjen e klubit në majat e futbollit shqiptar. Mbrojtësi ishte pjesë e grupit që arriti të fitojë tre tituj kampionë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Egnatias.

Në këtë mënyrë konfirmohet edhe lajmi i publikuar pak ditë më parë nga “Shkodra Sport”, që paralajmëroi afrimin e Fangajt te Teuta. Burimet e portalit kishin bërë me dije se palët ishin pranë marrëveshjes, ndërsa tashmë gjithçka është konkretizuar me shkodranin që do të veshë fanellën blu në edicionin e ardhshëm.

Për 28-vjeçarin, Teuta do të jetë skuadra e pestë në karrierën e tij. Më herët ai ka mbrojtur ngjyrat e Tërbunit, Laçit, Vllaznisë dhe Egnatias, duke grumbulluar një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar. Tashmë Fangaj pritet të sjellë cilësi, eksperiencë dhe stabilitet në repartin defensiv të durrsakëve, të cilët po ndërtojnë një skuadër ambicioze për sezonin 2026/27.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments