Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia në futboll për femra ka nisur grumbullimin në qytetin e Pukës, ku skuadra po zhvillon fazën përgatitore në prag të ndeshjeve të UEFA Women’s Champions League. Kuqeblutë po punojnë në një atmosferë pozitive, me fokus te rritja e formës sportive dhe përgatitja taktike për sfidat që i presin në Qipro, me objektiv kalimin e turit.
Stafi teknik, me në krye trajnerin Nikolin Leka, po e shfrytëzon këtë fazë për të konsoliduar grupin dhe për të rritur konkurrencën përpara debutimit europian.
Seancat stërvitore po zhvillohen me intensitet të lartë, ku theksi është vendosur te organizimi defensiv dhe tranzicioni i shpejtë në sulm. Gjithashtu, po punohet në përmirësimin e efikasitetit në finalizim, një nga elementët kyç për ndeshjet e Champions League.
Në kampin e Vllaznisë mbizotëron besimi se skuadra ka potencialin e duhur për ta kaluar me sukses këtë fazë të turneut e për ta bërë këtë gjë duhet pikësëpari një përgatitje e fortë dhe kjo po ndodh në Pukë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


