Brazili largohet nga Botërori që synonte të kthente titullin kampion pas 24 vitesh pritje. Për këtë në krye të ekipit u emërua një ekspert si Carlo Ancelotti, që dështoi në këtë objektiv, por që nuk ka humbur besimin e federatës, e cila nuk vonoi ta konfirmojë sërish në krye të bankinës.
Vendimi për të goditur penalltinë Bruno Guimarães në vend të Vinicius Junior u shoqërua me polemika, por kjo nuk shihet si e vetmja e metë në këtë rrugëtim të mbyllur në fazën e 1/8.
Brazili nuk kishte një sulmues qendër ku është mbështetur gjithmonë loja e kësaj skuadre. Një tjetër mungesë alarmante sipas analistëve sportivë është mbrojtësi tipik i krahut. Historia e Brazilit është plot me mbrojtës të djathtë dhe të majtë, të cilët kanë ndihmuar sulmin me daljet e tyre dhe aftësinë për të mbërritur afër zonës kundërshtare.
Asgjë nga kjo nuk u pa në kombëtaren e Ancelottit. I vetmi me këto karakteristika ishte Wesley, por ai u dëmtua gjatë përgatitjeve dhe nuk u zëvendësua.
Në futbollin modern, rëndësia e krahëve është thelbësore dhe duket e pabesueshme që kampionati brazilian të mos prodhojë lojtarë me cilësitë e duhura. Mbajtja dhe qarkullimi i topit, ku është bazuar zakonisht loja e brazilianëve, nuk u panë mbi të gjitha në ndeshjen e fundit ku mbi 60% të kohës ishte në këmbët e norvegjezëve.
Mosha mesatare e lartë, mbi 30 vjeç, ndikoi në dinamizmin e skuadrës dhe freskinë fizike. Brazili me sa duket duhet rindërtuar që 4 vite më vonë të jetë gati për të kthyer trofeun e shumëpritur.


