Shkodra dhe sporti shkodran sot kanë humbur një tjetër emër të shquar të tij. Bëhet fjalë për kampionin e boksit Ramiz Halili. Ai është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare duke lënë pas sigurisht një emër shumë të mirë. Në boks, ka qenë një nga emrat më të spikatur të fundit të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60 sepse më pas, siç dihet ky sport u ndërpre. Ramizi dallohej për teknikën e lartë, për goditjet e tij të forta me të majtën sepse ishte mëngjerash dhe kjo e bënte atë të veçantë në llojin e tij. Në finalet e Spartakiadës së Parë Kombëtare në vitin 1959 ka zënë vendin e parë në peshën e tij duke merituar medaljen e artë, ndonëse ishte vetëm 18 vjeç.


Megjithatë triumfoi klasi dhe përgatitja e tij. Ballafaqimet e mëpasme me boksierë të tillë si Niko Mile etj, kanë dhuruar gjithmonë emocione megjithatë për fatin e keq, ky sport u ndëpre në vitin 1963, atëherë kur ishte momenti që Ramiz Halili të shpërthente në ring. Megjithatë, pasioni për këtë sport, mbeti gjallë tek ai. Menjëherë pas vitit 1990, me të ardhur demokracia në vendin tonë, bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Viktor Martinin etj, do të nisnin punën menjëherë për ringritjen e këtij sporti në Shkodë. Dhe e bënë në mënyrën më të mirë të mundshme teksa edhe Ramizi për disa vite me rradhë dha kontributin e tij.
Vitin e kaluar, në një ceremoni të zhvilluar në qytetin tonë, “Telesport” e nderoi atë me një “Medaljen e Meritës” për kontributin e madh të dhënë në sportin e boksit. Dhe kuptohet që e ka merituar, madje ndoshta edhe më shumë. Gjithsesi, tashmë ai nuk jeton më. Nderimet që i janë bërë për së gjalli, kanë marrë fund për të. Por, emri që ka lënë pas vlen më shumë se gjithçka. Ceremonia e varrimit të tij do të zhvillohet të hënën në orën 12.00. Gazeta “SHKODRA SPORT” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Halili për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe familjes së boksit, për ndarjen nga rradhët e saj të një kampioni. Pushofsh në paqe Ramiz Halili!
Gjergj KOLA