Saga e transferimit të Brajan Grudës ka marrë fund. Mesfushori sulmues me origjinë nga Shkodra do të vazhdojë të jetë pjesë e RB Leipzig sezonin e ardhshëm. Sipas raportimeve të “Sky”, klubi gjerman ka arritur një marrëveshje në parim me Brighton & Hove Albion për transferimin e 22-vjeçarit, i cili pritet të rikthehet në Bundesligë.
Marrëveshja parashikon një huazim me detyrim blerjeje, i cili do të aktivizohet në varësi të disa kushteve të përcaktuara. Në rast se ato plotësohen, Leipzig pritet t’i paguajë Brightonit një shumë prej 25 deri në 30 milionë euro.
Gruda e njeh ambientin e Leipzigut, pasi ishte pjesë e skuadrës gjermane në huazim gjatë gjysmës së dytë të sezonit të kaluar. Ai zhvilloi 14 paraqitje, duke realizuar tre gola dhe duke dhuruar tre asistime.
Brighton e kishte transferuar talentin shqiptar nga Mainz 05 dy vite më parë për mbi 31 milionë euro, por aventura e tij në Angli nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi nuk arriti të siguronte një rol të rëndësishëm në skuadër.
Tashmë, Gruda do të ketë mundësinë të rifillojë në Bundesligë, aty ku pritet të kërkojë vazhdimësi dhe të tregojë potencialin e madh që e ka shoqëruar prej fillimit të karrierës. /Telegrafi/


