Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Basketbollisti i Vllaznisë, Jordi Preka, vazhdon të përfaqësojë me sukses ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare. Talenti shkodran është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U18, e cila po merr pjesë në Kampionatin Europian, Divizioni C, që po zhvillohet në Shkodër. Në ndeshjen e parë të turneut, Shqipëria regjistroi një fitore bindëse 111-67 ndaj San Marinos, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Në këtë sukses dha kontribut edhe Jordi Preka, i cili realizoi 5 pikë dhe zhvilloi një paraqitje pozitive me fanellën kuqezi. Për klubin e basketbollit Vllaznia, aktivizimi i një tjetër lojtari në ekipin kombëtar është një dëshmi e punës së mirë që po bëhet me talentet e rinj.
Në një komunikatë në rrjetet sociale, klubi shkodran shpreh krenarinë për përfaqësimin e Jordit në Kampionatin Europian dhe i uron atij, si edhe gjithë Kombëtares shqiptare U18, suksese në ndeshjet e radhës, me synimin për të arritur rezultate sa më të larta në këtë kompeticion.
“Jordi Preka vazhdon të përfaqësojë me krenari Shqipërinë! Lojtari i ekipit të parë dhe i ekipit U18 të KB Vllaznia, Jordi Preka, është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U18 në Kampionatin Europian, Divizioni C, që po zhvillohet në Shkodër. Në ndeshjen e parë të Shqipërisë ndaj San Marinos, Jordi dha kontributin e tij duke realizuar 5 pikë, ndërsa Kombëtarja siguroi kualifikimin në gjysmëfinale të kampionatit.
Jemi krenarë që një tjetër sportist i Vllaznisë përfaqëson ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe i urojmë Jordit dhe gjithë Kombëtares suksese në vazhdim të garës. Forca Jordi! Forca Shqipëria! Forca Vllaznia”,-shkruhet në komunikatën e klubit të basketbollit kuqeblu.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


