Ish- portieri i Vllaznisë Kristi Qarri do ta vazhdojë karrierën e tij sërish në Kosovë. Por këtë herë në Ligën e Parë dhe konkretisht tek ekipi Vëllaznimi i Gjakovës. Gjithçka sa i takon marrëveshjes është mbyllur ditën e sotme teksa 25 vjeçari ka qenë i shoqëruar në zyrat e këtij klubi nga menaxheri i tij Alsid Tafili.
Në këtë mënyrë Qarri do të provojë të ringrihet sërish në nivele të larta duke e provuar nga Vëllaznimi. Ende nuk ka detaje për kohëzgjatjen e kontratës, por ai duket i kënaqur me këtë lëvizje.
Ai u largua ndoshta jo në mënyrën e duhur nga Vllaznia dhe kjo i ka kushtuar jo pak. Në janar të këtij viti, Brdariç e mori tek Drenica në Superligën e Kosovës por hapësirat e aktivizimit për të kanë qenë të pakta.
Pikërisht nisur nga të gjitha këto rrethana Qarri ka dashur një ekip ku të luajë rregullisht dhe prandaj opsioni më i mirë i mundshëm ka qenë Vëllaznimi. Padyshim që Gazeta “Shkodra Sport” i uron suksese dhe rikthim në nivele të larta sepse aftësitë për këtë i ka.


