Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia e femrave ka mësuar emrin e kundërshtarit të gjysmëfinales së grupit 6 të turit të dytë të kompeticionit të rëndësishëm europian “UEFA Champions League”. Dhe ai është pikërisht ekipi sllovak Spartak Myjava.
Ky i fundit ka triumfuar në grupin 5 të turit të parë duke zënë vendin e parë dhe duke vijuar garën për më tej. Ai në finalen e këtij grupi mundi me rezultatin 6-1 ekipin maltez Mgarr. Ky i fundit në gjysmëfinalen e këtij grupi pat fituar me shifrat 4-0 ndaj ekipit estones Flora Talin.
Spartak Myjava kësisoj ka fituar të drejtën për të vijuar më tej në turin e dytë ku e pret Vllaznia, me ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Stelios Kyriakides” të Panhos në Qipro mbrëmjen e datës 5 gusht në orën 20:30.
Ndërkohë që është përcakuar edhe gjysmëfinalja tjetër e këtij grupi që është ajo në mes ekipit qiprot Apollon Ladies ndaj polakeve të Czarni. Kuptohet që objektivi i Vllaznisë fillimisht do të jetë kalimi në finalen e grupit dhe për këtë në kampin kuqeblu janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e datës 5 gusht.
Në fakt Spartak Myjava nuk është një emër i panjohur për shkodranet sepse janë ndeshur sëbashku edhe më 21 gusht 2022 në Budva të Malit të Zi, në ndeshjen finale të grupit e vlefshme për turin e parë dhe Vllaznia e pat fituar atë 1-0 me golin e Jehona Shalës duke u kualifikuar për më tej.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


