Shkruar nga Gjergj KOLA
Pas portieres Antigoni Hyska, Vllaznia e femrave ka bërë një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Presidenti Lazer Matija ka arritur të bindë të vishet kuqeblu edhe mesfushoren Xhesika Ndoj.
Kjo e fundit po ashtu si dhe Hyska është pjesë e rëndësishme e kombëtares shqiptare, por njëkohësisht nisur edhe nga mosha e saj e re, vetëm 19 vjeçe, konsiderohet edhe një nga lojtaret me më të ardhme në futbollin shqiptar.
Madje, Ndoj në dy vitet e fundit ka fituar edhe çmimin “Talenti i Vitit” akorduar nga Federata Shqiptare e Futbollit në ceremoninë e fundvitit. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një lojtare që premton shumë për të ardhmen.
Xhesika në fakt edhe para dy sezonesh ka qenë pjesë e Vllaznisë në ndeshjet e Kupave të Europës kur erdhi si e huazuar nga Apolonia, por këtë herë është ndryshe sepse tashmë do jetë kuqeblu për dy sezonet e ardhshme.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


