Tuesday, August 4, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREErald Çinari debuton në Kore, titullar përballë 6 herë fituesve të Champions...

Erald Çinari debuton në Kore, titullar përballë 6 herë fituesve të Champions League

Shkruar nga Endri ÇINARI

Erald Çinari ka hedhur hapat e parë në aventurën e tij të re në futbollin e Koresë së Jugut. Sulmuesi shkodran bëri debutimin me fanellën e Jeju, duke u aktivizuar në një miqësore prestigjioze ndaj Bayern Munich, sfidë e cila përfundoi me fitoren 2-1 të gjigantëve gjermanë. Për 29-vjeçarin ishte ndeshja e parë me skuadrën e re, vetëm pak ditë pas transferimit në futbollin aziatik.

Ish-futbollisti i Vllaznisë e nisi takimin si titullar, duke marrë menjëherë besimin e stafit teknik. Edhe pse ende nuk ndodhet në formën e tij optimale fizike, Çinari arriti të shfaqë elementë pozitivë në lojën e tij. Lëvizjet pa top, angazhimi në fazën sulmuese dhe gatishmëria për të ndihmuar ekipin u panë si sinjale inkurajuese, duke lënë përshtypje të mira në debutimin e tij.

Natyrisht, koha e shkurtër që ai ka kaluar me skuadrën e re nuk i ka lejuar ende të arrijë ritmin maksimal, por kjo është diçka që pritet të vijë me vazhdimësinë e stërvitjeve dhe ndeshjeve zyrtare. Përballja ndaj një kundërshtari të kalibrit të Bayern Munich ishte një test i rëndësishëm për shkodranin, i cili pati mundësinë të masë menjëherë veten në një sfidë të nivelit të lartë.

Tashmë vëmendja është përqendruar te kampionati korean, ku Jeju do të rikthehet në aksion këtë fundjavë. Procedurat e federimit të Çinarit janë mbyllur me sukses dhe ai është plotësisht i gatshëm për t’u aktivizuar edhe në ndeshjet zyrtare. Nuk përjashtohet mundësia që 29-vjeçari të marrë minutat e para në kampionat, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.

Pas eksperiencave të mëparshme në futbollin shqiptar dhe jashtë vendit, transferimi në Korenë e Jugut përfaqëson një sfidë të re për Erald Çinarin. Sulmuesi shkodran synon të përshtatet sa më shpejt me ritmin e futbollit aziatik dhe të japë kontributin e tij për Jeju, me shpresën që debutimi zyrtar në kampionat të jetë vetëm fillimi i një aventure të suksesshme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments