Dështimi në Kategorinë Superiore është kthyer në një bekim për Luixhi Di Biaxhon, i cili mund të kishte një rrugëtim krejt ndryshe nëse do të vazhdojë me blutë.
Trajneri italian erdhi në Shqipëri në verën e vitit 2023, duke marrë drejtimin e Dinamos, për të nënshkruar një kontratë dyvjeçare me blutë. Por pas një starti të tmerrshëm të sezonit, ai i dha lamtumirën Superiores duke dhënë dorëheqjen e prishur kontratën në muajin tetor të të njëjtit vit.
Në verën e vitit 2024, ai gjeti akordin me Federatën e Arabisë Saudite, duke u bërë trajneri i përfaqësueses U23 atje. Pikërisht kjo aventurë ka shkuar mirë për të, aq sa me sheikët ka nënshkruar sot edhe rinovimin për dy vite të tjera.
“Si gjithmonë unë dhe stafi im do të japim gjithçka për kauzën saudite për të arritur me të rinjtë tanë objektivat maksimal”, shkruante Di Biaxho në rrjetet sociale pas lajmit për rinovimin e kontratës.


