Kishte udhëtuar me objektivin e qartë për të marrë pikë në stadiumin “Roza Haxhiu”, por nuk ia ka dalë. Veleçiku e ka patur shumë të vështirë ndaj Lushnjës vendase dhe si rrjedhojë është mundur me rezultatin 3-1 në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme.
Fati i kësaj ndeshje është vendosur që në pjesën e parë të saj kur vendasit kanë shënuar tre gola njëri pas tjetrit. Fillimisht ka qenë Pius që ka zhbllokuar shifrat në ‘5 dhe më pas Arapi në ’34 ka dyfishuar rezultatin ndërsa ka patur vend edhe për një autogol të Elvis Rustemajt një minutë para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë koplikasit e trajnerit Duli të gjendur në një disavantazh të tillë janë hedhur në sulm sepse nuk kishin asgjë për të humbur dhe ia kanë dalë të shënojnë golin e parë me të zakonshmin Arsen Banushaj në minutën e 67–të por vetëm kaq.
Pavarësisht përpjekjeve në vazhdim, Veleçiku nuk ia ka dalë të shënojë gola të tjerë dhe si rrjedhojë është detyruar të pranojë në fund humbjen në shifrat 1-3 duke e nisur në këtë mënyrë kampionatin me humbje, por kuptohet se deri diku kjo ka qenë e pritshme sepse luante ndaj një skuadre si Lushnja që konsiderohe pretendente e fortë për ngjitjen një kategori më lart.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


