Prej pak ditësh në stadiumin “Loro Boriçi” ka nisur puna për vendosjen e karrigave të reja në tribunën VIP të tij. Një investim ky i Bashkisë Shkodër e cila ashtu siç e kishte lajmëruar, ka miratuar në buxhetin e këtij viti ndërhyrjen në infrastrukturën e këtij impianti sportiv.
Në fakt kjo ka qenë mëse e domosdoshme, sepse gjendja e karrigeve (poltronave) në tribunën VIP linte shumë për të dëshiruar dhe krijonte një impakt të keq tek të gjithë. Për më tepër që vitin e ardhshëm në këtë stadium do të luhen disa prej ndeshjeve të Kampionatit Europian U21.
Pikërisht për këtë arsye në buxhetin e këtij viti u miratua një shumë prej rreth 200 milionë lekësh për vendosjen e rreth 700 karrigeve të reja dhe po ashtu do të ndërhyhet edhe në pankinat e lojtarëve.
Vendosja e karrigeve të reja po ecën me ritme të kënaqshme dhe brenda disa ditësh ky proces do të përfundojë, ndërkohë që tribuna VIP që tani ka nisur të marrë formë tjetër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


