Istanbulspori ka arritur të sigurojë “play-off-in” që mund t’i sjellë një biletë për t’u ngjitur më pas në elitën e futbollit turk, që është edhe një synim i klubit që në fillim të sezonit. Një kontribut të madh kanë dhënë edhe lojtarët shqiptarë, Eduart Rroca dhe Kristal Abazaj. Ky i fundit ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine” në “Ora News” , duke pohuar fillimisht se: “Kemi arritur të marrim dy fitore që na janë dashur me patjetër për të siguruar “play- off-in”, pasi për të dalë kampion nuk e arritëm. Golat e mi dhe performanca ime kanë arritur të ndihmojnë ekipin në këtë ecuri mjaft pozitive”.

“Play-Off”

“Ne e njohim mjaft mirë Altain. Është një nga ekipet më të mira në kategorinë tonë. Kemi arritur ti mposhtim dy herë, si brenda edhe jashtë. Por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes dhe besoj se do jetë mjaft e vështirë si për ne edhe ata. Tani tregohet vërtetë forca jonë. Që kur kemi ardhur te Istanbulspori kemi ardhur me ide të qarta, pasi pritshmëritë janë shumë të larta. Kemi ardhur këtu për Superligën dhe jemi në rrugën e duhur. Shpresoj t’ua kthej drejtuesve atë besimin e dhënë ndaj meje, sepse ata presin shumë“.

Për Rrocën

“Rroca ka bërë një sezon fantastik në aspektin individual. Edhe ne si ekip na ka ndihmuar shumë, sepse kur gjithë ekipi nuk shkon mirë një lojtar individual duhet ta marri përsipër dhe Rroca e ka bërë në disa ndeshje deçizive. Jam shumë i lumtur për të, pasi e meritonte diçka të tillë sepse ka punuar shumë. E ka pasur të vështirë të vijë deri këtu. Të shikojmë tani në fund të sezonit, çfarë të jetë më e mira për të“.

E ardhmja

“Deri tani jam i fokusuar këtu. Të gjithë kampionatin e luajmë në këto dy ndeshje. Shpresoj të arrijmë ato objektivat tona, pasi e meritojmë. Jo se e them unë po e thonë të gjithë që Istanbulspori ka ekipin më të bukur në ligë. Por kemi qenë të pafatë dhe kemi bërë disa gabime tonat. Por nëse nuk arrijmë të ngjitemi në Superligë i kemi disa opsione tonat bashkë me manaxherët. Ata merren me këtë punë. Çfarë të jetë më e mira do vendosim. Ofertat vijnë në bazë të ndeshjeve. Kam zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Po arrij në 100% tim. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë do e bëj një lëvizje. Deri tani është Superliga turke, sepse është një kampionat shumë i mirë, ka një shikueshmëri shumë të lartë”.

Anderlehti

“Jo për mua po për çdo futbollist shqiptar Anderlehti është maja e futbollit. Arritja më e madhe në jetën time si futbollist profesionist ka qenë nënshkrimi i kontratës me Anderlehtin. E kam diku edhe si pishman që nuk arrita asnjëherë të tregoj aftësitë e mia dhe të tregoj potencialin tim. Por këto i ka futbolli, ndikoi përshtatja dhe dëmtimi. Mund të them se ka qenë një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar unë. Tani ajo është diçka që e kam lënë pas“,ka thënë Kristal Abazaj.