Partizani do të luajë përballë Egnatais në kuadër të javës së 13-të të Superiores. Një përplasje “titanësh” ku të dyja ekipet vijnë në këtë sfidë si kryesues të tabelës së klasifikimit. Si rrogozhinasit ashtu dhe “Demat” janë me nga 26 pikë, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak.

Në prag të kësaj sfide që do të zhvillohet në “Arena Egnatia”, ka folur në një konference për shtyp, trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaji.


-Si e prisni Egnatian?

“Është një ndeshje shumë e vështirë. Një ndeshje që ka specifikë tjetër në krahasim me ndeshjet e tjera dhe e kemi vlerësuar në maksimum. Një kundërshtar që në krahasim me të tjerët është atipik. Krahasuar me ekipet e tjera është mjaft i konsoliduar dhe me kualitet. Për këtë arsye është në nivelin që është . Besoj që do të jetë një ndeshje e bukur , një ndeshje e luftuar, por kam përshtypjen që mbi të gjitha është një ndeshje për tu fituar.”


-Çfarë të tremb më shumë tek kundërshtari?

“Mendoj kualiteti që ka në pjesën përpara. Janë lojtarë që kanë edhe eksperiencë dhe kualitet si dhe forcë fizike. Patjetër një skuadër që është e rëndësishme, pa kualitete të rëndësishme përpara nuk mund ti arrijë objektivat që i kanë vënë vetës. Këtë gjë e kanë treguar edhe në këto 13 javë , është një skuadër e cila ka qenë e konsoliduar për mënyrën se si ka luajtur. Një pjesë të mirë të kundërshtarëve i ka dominuar dhe ka fituar me meritë.”

-E konsideroni përballjen ndaj Egnatias si vendimtare për sezonin?

“Nuk do ta konsideroja vendimtare. Përveç bonusit të 3 pikëve ne na jep edhe një bonus moral shumë të madh për të rritur vetbesimin , për të rritur proçesin e gjithë lojtarëve të rinj që kemi në përbërje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Vendimtare për kampionatin nuk mendoj se është. Jemi vetëm në javën e 13-të , por është një ndeshje për tu luajtur. Pak keqardhje që do të luhet në një orar jo normal për një ndeshje kaq të rëndësishme , por këto janë rregullat dhe jemi të detyruar ti respektojmë.”


-Situata me dëmtimet?

“Hadroj është bashkuar me ekipin dhe ka zhvilluar normalisht seancat stërvitore. Jemi mëse të lumtur që na kthehet një forcë e rëndësishme në skuadër. Në orët në vazhdim do të shikojmë dhe do të vendosim nëse do të jetë një opsion nga fillimi , apo në vazhdim. Në këtë moment që flasim vetëm Hadroj është bashkuar me ekipin dhe po stërvitet me ngarkesë të plotë.”


-Rikthimi Alban Hoxhës nga dëmtimi?

“Hoxha është stërvitur normalisht. Një pikë e rëndësishme përsa i përket aktivizimit të portierëve është edhe trajneri i portierëve , ai që i shikon çdo ditë formën dhe vijueshmërinë e tyre. Ne jemi të qetë sepse deri në këtë pikë është Albani apo Pano, e rëndësishme për ekipin është që porta është në duar të sigurta dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme e repartit , e trajnerëve që punojnë me portierët.”


– Me 6 fitore radhazi keni barazuar rekordin e mëparshëm kur edhe ju keni qenë pjesë e atij Partizani. Ndryshimi mes dy ekipeve?

“Ajo periudhë mund të themi që ka qenë një periudhë e mirë e kampionatit por edhe e Partizanit. Ka qenë një ekip i cili ka patur në përbërjen e tij shumë kualitete dhe ka bërë një ecuri mjaft të mirë. Ka qenë një kampionat ndoshta jo me kaq rivalitet të madh siç është kohët e fundit. Gjithsesi çdo ndeshje futemi për ta fituar ka specifikën e vetë dhe gjithnjë është e vështirë. Asnjëherë nuk mund të fitosh një ndeshje rastësisht, mund të bësh 1, 2 fitore por jo në vazhdimësi. Partizani i këtij sezoni në krahasim me atë skuadër ka një pikë mjaft të rëndësishme që është pjesa dinamike e intensitetit i të përballuarit të ndeshjes. Eshtë totalisht një gjë tjetër në krahasim me skuadrën që ka luajtur atëherë.”


– Shok skuadre keni patur Orges Shehin, do ta kesh edhe shok në staf këtë sezon…

“Të shikojmë, e kam patur shok skuadre, mund ta kem shok stafi, kjo mbetet për t’u parë. Jemi fokusuar vetëm tek ndeshja dhe nuk mendojmë gjëra të tilla sepse e thashë edhe një herë ky ekip me këtë entuziasëm dhe me këtë moshë që ka është e rëndësishme të fokusohet tek ndeshja e radhës, te përmirësimi i vetvetes, te përmirësimi i kualiteteve. Kjo ka rëndësi mbi çdo gjë. Në momentin që futbollistët janë të ndërgjegjshëm për forcën që kanë, për atë ku janë dhe ku duan të shkojnë atëherë besoj se ky ekip e ka të ardhmen të ndritur.”


– I druheni ndonjë largimi gjatë merkatos së janarit?

“Nuk e mendoj , duke patur parasysh që ne kemi bërë një projekt që ky ekip të arrijë pjekurinë maksimale në sezonin e vet, atëherë kur janë edhe kompeticionet evropiane. Kurrë mos thuaj kurrë përsa i përket merkatos sepse 1 ose 2 elementë mund të ikin, por kam përshtypjen që ky ekip më këtë organikë janë marrë masa që në fillim për të mos vuajtur largimet. Ndoshta mund të largohet 1 ose 2, por mund të mos largohet asnjë. Mund të quhen blerje edhe ata lojtarë që rikthehen pas një pushimi jashtzakonisht të gjatë. Hadroj , Mba , Da Silva , Sota mund të konsiderohen blerje. Kështu që përsa i përket hyrjeve apo daljeve janë marrë masa edhe në këtë drejtim. 5 më pak, 5 më shumë besoj që ky ekip ka mundësi vetëm për të bërë më mire, sepse besoj që kualiteti është edhe fryma është e duhur për të bërë përpara.”