Opinion nga Besnik Dizdari

 

Më duket e papranueshme, që një ndër skuadrat më të shquara shqiptare, Vllaznia e Shkodrës, në ndeshjen e së premtes me KF Laçin aktivizoi 5 lojtarë të huaj. Dhe 1-0 për Laçin. E kush? Vllaznia e Boriçit, Shllakut, Rragamit, Zhegës, Bizit, e pse jo edhe e Vatës, e të qindra talenteve të tjerë që i dhanë shkëlqim futbollit shqiptar. Madje, në këtë rast, të vjen edhe më shumë keq kur kujton se kjo ndodh me praninë e gjithë atyre të rinjve të talentuar të Shkodrës, të cilët vitet e fundit sundojnë gjithë kampionatet kombëtare të të rinjve. Është e pabesueshme, që midis tyre të mos ketë talente. Them ndërkaq se nuk është faji i trajnerit Vata, i cili po synon jo pak tek të rinjtë dhe duhet mbështetur në këtë aksion të tij te Vllaznia. Është faji i një trysnie që sundon kampionatin shqiptar dhe skuadrat shqiptare për t’u mbështetur fort tek të huaj. Mëkat! Pikërisht për numrin e madh të të huajve që ka pushtuar futbollin shqiptar, Federatës Shqiptare të Futbollit i takon urgjentisht të ulet dhe të vendosë rregullin e tre të huajve në kampionatin shqiptar. Ndërsa për sa i përket “rrëmbimit” të brazilianit të Greqisë për kombëtaren tonë, unë këtë ende nuk e besoj.