Ada e Velipojës është shpallur sot zyrtarisht kampione  e Shqipërisë në futbollin e femrave. Në ndeshjen e fundit, atë të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi’ në mes Adës dhe Dardanisë, e para ka fituar 4-0. Autore të golave kanë qenë Megi Doçi, Luçie Gjini (2) dhe Xhemile Berisha. Me fitoren e sotme, vajzat velipojake janë ngjitur në kuotën e 38 pikë duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampione e vendit për të tretin vit me rradhë. Pas përfundimit të ndeshjes, është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve për protagonistet e ekipit kampion si dhe kupën.

Ka qenë përfaqësuesi i FSHF-së, anëtari i Komitetit Ekzekutiv Abdyl Kuriu ai që i ka dorëzuar kupën në fund kapitenes së Adës, portieres Brilanta Kokiçi dhe më pas ka filluar festa. Një sukses i merituar i gjithë vajzave, i stafit drejtues me në krye trajnerin Dervish Haxhiosmanoviç, pa harruar kurrsesi kontributin e dhënë në fazën e parë trajneri Fatmir Axhani. Megjithatë meritën më të madhe në këtë sukses e ka patur presidenti Lazër Matija i cili ka investuar shumë për këtë ekip dhe sot është parë i lumtur. Njëkohësisht i shpërblyer për gjithçka ka shpenzuar dhe bërë për këtë ekip. Natyrisht që një meritë kanë edhe bashkëpunëtorët e tij, Alfred Pjetri dhe Marash Qytetza pa harruar kurrsesi kryekomunarin Pashko Ujka. Ada në këtë mënyrë po shkruan historinë e futbollit të femrave në vendin tonë duke qenë fituese e tre kampionateve nga katër që janë zhvilluar deri tani.

www.shkodrasport.com