Dilema se kush do ta menaxhojë stadiumin “Loro Boriçi” duket se do të marrë shpejt përgjigje. Ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ajo që ka bërë të ditur sot se do të jetë institucioni që ajo drejton, i cili do ta marrë përsipër këtë gjë sepse i ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Por para se të ndodhë kjo, më parë duhet të përfundojë i gjithë investimi i nisur. Në një prononcim për Top Channel, ajo ka thënë:
“Jemi në pritje të përfundimit të të gjithë investimit dhe pasi të ndodhë kjo, sigurisht që Bashkia Shkodër do ta marrë në dorëzim stadiumin “Loro Boriçi” dhe do ta mirëmbajë atë sepse i kemi mundësitë financiare dhe gjithçka tjetër që duhet për këtë gjë”. Në fakt, këtë gjë Bashkia Shkodër e ka parashikuar edhe në projekt- buxhetin e vitit 2017 kur ka planifikuar një shumë prej 88 milionë lekësh për administrimin dhe mirëmbajtjen e këtij impianti sportiv. Por për të mbërritur deri atje, më parë duhet të përfundojë shtrimi i pistës së tartanit dhe po ashtu edhe ndërtimi i plotë i palestrave të peshëngritjes, mundjes, çiklizmit, sallës së forcës dhe shumë të tjerave që janë poshtë ambjenteve të tribunave të stadiumit. Të gjitha këto ende nuk kanë përfunduar dhe pa ndodhur kjo, Bashkia nuk mund ta marrë në dorëzim “Loro Boriçin”.
© shkodrasport.com