Opinion nga Muhamet TUZI


E ndjej të nevojshme edhe unë si pjestar i familjes së madhe të peshëngritjes të përfshihem në debatin e krijuar së fundmi me Federatën e Peshëngritjes. Jam trajner i ekipit të peshëngritjes të klubit Vllaznia që nga viti 1998. Kam punuar me pasion dhe kam shijuar vetëm moralisht arritjet e punës sime me sportistet: 1.Renato Sulkja, kampion apsolut dhe rekordmen në peshën e vet dhe vendi 5 në Botë për të rinjtë. 2.Jam pjesë e rezultateve europiane dhe botërore të Erkand Qerimaj. 3.Xhulio Prroni nënkampion Europe për të rinjtë, medalist dhe rezultate europiane dhe botërore. 4.Emanuel Lushi medalist europian, rezultate të larta europiane dhe anëtar i ekipit kombëtar. Këto arritje më japin të drejtën të shpreh mendimin tim për punën e Federatës që pa hezitim them që ka shumë “mëkate”. Pikërisht për: 1.Grumbullimi i ekipit kombëtar shqiptar në Greqi para Olimpiadës së Brazilit ishte një gabim fatal rezultat i së cilës shumë sportistë shqiptarë përdorën substanca të ndaluara me vetëdije të Luan Shabanit dhe Federatës dhe si pasojë, sportistët ranë viktimë e kësaj marrëveshje. 2.Ka shumë vite që Federata jonë nuk sjellë në fillim të vitit në klubet sportive kalendarin sportiv për aktivitetet e vitit. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të Botës dhe në asnjë federatë sportive. 3.Njoftohen trajnerët e sportistët për aktivitet 10 ditë para garet me telefon ose me facebook dhe kjo më çudit jashtëzakonisht shumë! A thua se përfaqësuesit e Federatës nuk janë marrë asnjëherë me peshëngritje. 4.Kanë stimuluar e shpërblyer trajnerë që nuk përfaqësohen në aktivitetet kombëtare sidomos te të rriturve. 5.Në zgjedhjet e fundit të asamblesë për presidentin e ri, kisha dëshirë të merrja pjesë me të drejtë vote për të pasqyruar të gjitha këto të meta në këto mbledhje por për çudi shefi i klubit Vllaznia nuk ma dha të drejtën megjithëse jam trajneri i vetëm në Shkodër që marr pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare të të gjtha moshave, përfshi këtu edhe ato të të rriturve dhe ishte mëse e drejtë të përfaqësoja Shkodrën në këtë mbledhje të Asamblesë. 6.Duke e ditur Federata që unë nuk jam dakort për shumë gjëra që nuk shkojnë mirë, influencon që unë të mos marr pjesë me të drejtë vote në mbledhjen për zgjedhjen e presidentit, por shkon edhe më tej që duke marrë hak tek unë, nuk më dërgon në aktivitetet europiane me sportistin tim por dërgon një trajner tjetër që nuk ka lidhje fare me sportistin, duke influencuar negativisht me rezultatet e tij. Më çudit edhe qëndrimi indiferent i Ministrisë ndaj gjithë këtyre problemeve në familjen e peshëngritjes. Mendoj që Ministrinë nuk e shqetëson shumë shkatërrimi i peshëngritjes se sa lidhjet politike në mes institucioneve. Së fundmi, me sinqeritet them që të gjitha këto i thashë vetëm se më vjen keq për sportin e peshëngritjes që po shkatërrohet.