Agron Çela, ish-presidenti i Vllaznisë në vitet 2003-2006, është i bindur që të jetë përsëri në krye të këtij klubi në këtë periudhë të vështirë për të. Gjithashtu ai shpreh bindjen që edhe i vetëm do ta marrë drejtimin e klubit jo vetëm për këtë pjesë të sezonit, por edhe për dy sezone të tjerë. Çela gjatë këtyre ditëve, edhe pse ndodhet jashtë Shqipërisë, vijon që të jetë në kontakt me drejtuesit më të lartë të Bashkisë së Shkodrës për të ardhmen e klubit.

Ai së bashku me katërshen e përbërë nga Xhevdet Amuli, Paulin Radovani, Flamur Hoxha dhe Ylvi Mashi, kanë bërë një kërkesë zyrtare në Bashkinë e Shkodrës që ta marrin në përdorim klubin e futbollit. Dy të parët janë tërhequr nga kjo kërkesë, në një kohë që Çela nuk heq dorë.
Çela: “Unë besoj dhe shpresoj që bashkëkërkuesit për ta marrë në përdorim klubin e futbollit Vllaznia sh.a do të jenë përsëri pjesë e projektit tonë. Gjithashtu theksoj se do ta marr edhe i vetëm drejtimin e kësaj skuadre me atë projekt ambicioz që unë kam për këtë klub”, – shprehet Çela. Megjithatë, ai mbetet i mendimit se edhe dyshja Amuli- Radovani do të jetë pjesë e drejtimit të ardhshëm të Vllaznisë. Ndërkaq, dyshja tjetër Hoxha-Mashi vijon të jetë pjesë e grupit kërkues për ta marrë në përdorim klubin kuqeblu. Vetë Çela është i bindur për të vijuar punën për të bërë të mundur ndërtimin e Vllaznisë për pjesën e dytë të sezonit, por për të parë edhe më tej për sezonin e ardhshëm.

Admir URUÇI