Agustin Kola shpreson që Tirana, Vllaznia e Laçi të kualifikohen në turin e tretë të Konferencë Ligës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi, trajneri, ylli i bardhebluve, Kola, analizon Tiranën, por jo vetëm atë.

Pranon se skuadrat shqiptare nuk janë profesioniste. Gjithashtu, thotë se nuk është momenti i kritikave, por shpreson që Tirana ta përmbysë rezultatin, ndërsa Laçi dhe Vllaznia të kualifikohen për më tej. Kola analizon skuadrën bardheblu dhe thotë se në Shqipëri nuk ka profesionalizëm dhe lojtarët duhet të punojnë shumë.

Profesor, e keni parë Tiranën këto tri sfida në Europë? Çfarë mendimi keni dhe si kanë luajtur kampionët e Shqipërisë?

Ne luajmë si të vijë. Për këtë duhet të jemi të gjithë të qartë. E përsëris, ne luajmë si të na vijë loja. Ishallah ne fitojmë dhe kualifikohemi.

Çfarë nuk ka shkuar në 270 minuta që Tirana është mundur tri herë në fushën e lojës?

Unë mendoj përgatitja fizike dhe serioziteti. Ky është problemi. Ne nisim në fillim të flasim, më pas hidhemi në sulm, bëjmë nja pesë xhiro dhe më pas ngecim e nuk bëjmë asgjë sepse na mbaron karburanti. Të tjerët janë profesionistë. Luajnë njëlloj si nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Ti apo ne nuk kemi profesionalizëm. Kjo është e gjitha. Ne nuk bëjmë dy pasime në ndeshje të tilla.

Si mund të kualifikohet Tirana në turin e tretë të Konferencë Ligës?

Paçka se unë kritikova, në ndeshjen e parë dhe në pjesën e parë më pëlqyen. Nëse luajnë si ato minuta, them se mund t’ia dalin.