David Beckham dëshiron që Zlatan Ibrahimovic të qëndrojë te Manchester United mes interesit të raportuar nga LA Galaxy. ESPN raportoi të dielën se sulmuesi suedez po mbyll një marrëveshje për t’u bashkuar me pesë herë kampionët e MLS, ndërsa trajneri i “djajve të kuq”, Jose Mourinho, ka shpjeguar të hënën se ai nuk do ta pengonte një lëvizje të tillë të mundshme.

Duke folur në ngjarjen e së hënës, që konfirmoi ekskluzivitetin e tij në Miami, si ekipi i ardhshëm i MLS, Beckham tha se nuk është i gatshëm ta shohë ish-shokun e tij të PSG-së të bëjë kalimin në “Southern California”, ende.

“Pa marrë parasysh se si flisni për të, ai është një nga lojtarët më të mirë, një nga njerëzit më të mirë dhe nëse vjen në këtë ligë në një moment, do të ishte vërtet mirë, – tha Beckham për ESPN. –

Por, për momentin, ai është një lojtar i Manchester United dhe unë jam i lumtur për këtë. Dua që ai të qëndrojë atje, por në një moment tjetër mund të vijë këtu”.

Beckham luajti për Manchester United nga viti 1992 deri më 2003 dhe Galaxy nga viti 2007 deri më 2012, çka i jep ish-kapitenit të Anglisë një pasqyrë unike në procesin e vendimmarrjes së Ibrahimovic.

Ndërsa disa kritikë besojnë se Ibrahimoviç do të shkonte në MLS shumë vonë, me 36-vjeçarin të kufizuar në një fillim të Premier League këtë sezon, pas rimëkëmbjes nga operacioni i gjurit, Beckham është më optimist.

“Çdo përmendje e ndonjë lojtari të shkëlqyer si Zlatan, që vjen në këtë ligë, mund të jetë e mirë për ligën, – shtoi ai. – Dhe kur flisni për Zlatan, po, është mirë që po flitet kështu, sepse ai do të ishte më shumë se i mirëpritur në këtë ligë nga tifozët, nga lojtarët. Nuk ka rëndësi se çfarë lëndimesh ka pasur gjatë karrierës së tij, ai është një bishë”.