Pas bashkëpunimit në mes ekipeve të para, Vllaznia dhe Prishtina duket se kanë nisur një bashkëpunim edhe në mes ekipeve të moshave. Pikërisht për këtë, sot paradite kanë mbërritur në Shkodër ekipet U-13, U-15 dhe U-17 të Prishtinës për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet e Akademisë Vllaznia në të njëjtat grupmosha. Kjo është arritur pas akordit të drejtorit sportiv Armir Grima me një trajnerët e Prishtinës Kushtrim Munishi. Ndeshjet janë zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe të parët kanë zbritur në fushë 13 vjeçarët.

Ato të Prishtinës kanë shënuar të parët por më pas ka barazuar ekipi i Vllaznisë i drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani dhe krejt ndeshja është mbyllur në barazim 1-1. Rradha për të luajtur më pas ka qenë e 15 vjeçarëve. Ato të Vllaznisë të drejtuar nga Gjon Kola ndonëse kanë kërkuar me ngulm fitoren, nuk ia kanë arritur dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 0-0. Ndeshja e tretë dhe e fundit ka qenë ajo e 17 vjeçarëve. Prishtina ka qenë në avantazh dy herë por në të dy rastet është barazuar nga skuadra shkodrane e drejtuar nga Alban Noga dhe përfundimisht edhe kjo ndeshje është mbyllur në barazim 2-2. Në këtë mënyrë kjo seri miqësoresh në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Prishtinës ka dhuruar tre barazime. Për përgjegjësin e Akademisë Vllaznia Ismet Hoxha, më shumë sesa rezultatet, vlen shkëmbimi i eksperiencës. “Kemi patur bashkëpunim në mes ekipeve të para me Prishtinën por edhe këto me ekipet e moshave, besoj se vlejnë shumë. Futbollistët e vegjël mund të njohin më mirë njëri- tjetrën, të masin forcat e veta dhe po ashtu është edhe një shkëmbim eksperiencash në mes trajnerëve. Jam i sigurtë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”- ka thënë ai.

Gjergj KOLA