Partizani u kthye mbrëmjen e djeshme në stërvitje, pas fitores ndaj Egnatias të shtunën, që shënoi edhe startin e sezonit të ri për të kuqtë.

Stërvitja nisi siç ishte planifikuar, në orën 18:30 me trajnerin Kolela, që kishte një skuadër mjaft të cunguar në dispozicion.

Plot katër lojtarë, tre prej tyre mesfushorë, janë ndalur për shkak dëmtimesh në ndeshjen ndaj Egnatias.

Alfred Mensah, Arinaldo Rrapaj, Shandrel Matondo dhe Aristoteles Romero munguan në seancën e djeshme stërvitore.

MENSAH DHE ROMERO – Sulmuesi nga Gana dhe mesfushori nga Venezuela nuk u panë në stërvitjen e djeshme.

Burime nga klubi bëjnë me dije se të dy kanë pësuar dëmtime.

Ditën e djeshme ata kanë zhvilluar testet e nevojshme dhe mbetet për t’u parë nëse do të mund të rikuperohen për ndeshjen e së hënës së ardhshme ndaj Laçit, shumë e rëndësishme, pasi luhet ndaj një rivali direkt.

RRAPAJ – Talenti i mesfushës i cili deri më tani ka arritur të fitojë një vend titullari me Dajën, Mehmetin dhe së fundmi edhe Kolelën në stol, ka pësuar një goditje në këmbë në ndeshjen me Egnatian.

I riu fillimisht do të duhet të pushojë për pak ditë, për t’u rikthyer më pas në fushë dhe u ingranuar gradualisht në stërvitje. Kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga ndeshja me Laçin në “Elbasan Arena”, prania e Rrapajt është në rrezik serioz.

MATONDO – Mesfushori nga Kongo rrezikon më pak se të tjerët të mungojë në ndeshjen ndaj Laçit. 22- vjeçari pësoi një të çarë në kokë në minutat e fundit ndaj Egnatias dhe mjekët e skuadrës vendosën ta lënë pushim dje për arsye sigurie.

Gjithsesi, Matondo ndihet shumë mirë dhe sot pritet të rikthehet në stërvitje.

STËRVITJA – Dy senegalezët, Maget dhe Sembene nuk ishin në fushë ditën e djeshme, por u angazhuan në palestër, teksa i riu Klevis Dragaj ishte i vetmi që u stërvit i veçuar nga lojtarët që morën pjesë.

Stërvitja e djeshme u orientua më shumë në karakterin taktik.

Trajneri provoi disa skema sulmuese dhe mbrojtëse dhe u kujdes të udhëzonte skuadrën në çdo detaj për mënyrën se si duhet të dalë në sulm dhe presingun që duhet të bëjë.

Në fund nuk mund të mungonte një minindeshje, që rezultoi të ishte sërish mjaft e luftuar dhe me duele të forta. Skuka dhe Cvetanoski në dy momente mbetën të lënduar, me dibranin, që iu desh të asistohej nga mjekët.

TAKIMI – Në fundin e stërvitjes trajneri Kolela u pa konfuz. Ai u afrua te tribuna kryesore dhe kërkoi që të biseduar me drejtorin sportiv, Elton Marini, teksa më pas ai thërriti edhe Skukën, për të folur të tre.

Të tre u kujdesën që fjalën që thuheshin të mos dëgjoheshin nga larg, por trajneri u pa shumë aktiv me gjestet e tij dhe krijoi idenë se po i kërkonte llogari sulmuesit.

Edhe pas largimit të Skukës, dy drejtuesit vijuan bisedën, me trajnerin, që u duk i shqetësuar.