Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i është përgjigjur dje trajnerit të larguar, Tomas Brdariç, pas deklaratave të këtij të fundit në mediat gjermane. Brdariç kishte thënë ndër të tjera se vendimi për largimin e ka surprizuar, ndërsa kishte kuptuar se presidenti duhej të bënte disa kursime.
Mirëpo, kjo nuk i ka pëlqyer aspak kreut të klubit shkodran, që ekskluzivisht për “Panorama Sport”, i ka dhënë një përgjigje trajnerit gjerman, duke zbuluar zyrtarisht edhe rrogën e tij te Vllaznia.
“E lexova deklaratën e Brdariç, por në fakt nuk e kuptoj këtë pjesën e kursimit, pasi trajneri ka marrë një rrogë prej 7 mijë eurosh në muaj. Kam përshtypjen se Brdariç ka qenë trajneri më i paguar në Superligën shqiptare”, deklaroi Xhaferi.
LARGIMI – Shkarkimi i Brdariç pas 20 muajsh si trajner i Vllaznisë, ku arriti të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë, është argumentuar nga presidenti kuqeblu prej mungesës së rezultateve në këtë kampionat, ku skuadra ishte projektuar për titull. “Ndryshimet bëhen gjithmonë kur ke mungesë rezultatesh dhe del jashtë objektivave.
Menduam që të bënim një ndryshim me idenë për të forcuar gjërat ose më saktë për të rregulluar situatën në ekip. Pra, për ato gjëra që nuk kanë funksionuar deri më tani ose më mirë me thënë nuk kanë shkuar ashtu siç kemi pretenduar ne. Me gjithë respektin dhe konsideratën për Brdariç, nuk pati rezultate në kampionat dhe kjo është finalja. Nuk mjafton ndonjëherë vetëm puna e fortë”, pati thënë kreu i klubit shkodran.