Masimiliano Alegri nuk fshihet. E pranon se është viti i duhur për të provuar fitoren e Ligës së Kampionëve dhe se në qarkullim nuk ka shumë skuadra të forta.

Megjithatë, ai thotë se vlerësimet nuk bëhen tani, por në mars. Trajneri i Juventusit vlerëson kundërshtarët e sotëm dhe thotë se nuk pret gabime si ato ndaj Junajtid.

Alegri kërkon që ndonjëherë skuadra e tij të luajë më shpejt në sulm dhe të përmirësohet në goditjet standarde të kundërshtarëve.

Titulli- “Kemi edhe shumë ndeshje, por nga ky moment deri në fund të vitit do të luajmë me skuadra të forta si Roma, Interi, Atalanta dhe Fiorentina. Për sa i përket Champions-it, duhet t’i marrim ndeshjet një nga një.

Do të tentojmë të kalojmë turin fillimisht, pastaj të mendojmë të dalim të parët. Por Valencia është një skuadër e fortë, e cila luan mirë dhe ka shanse t’i mbajë llogaritë të hapura. S’duhet të ndodhë si ajo ndaj Mançesterit”.

Ndeshja- “Të shtunën Valencia shënoi një gol spektakolar nga goditjet standarde. Duhet të punojmë shumë në këtë aspekt.

Me Mançesterin na ndodhën disa episode që nuk duhet të përsëriten më. Kemi respekt për kundërshtarin. Pas ndeshjes do të mësojmë nëse jemi të parët apo jo”.

Kriza- “Vitin e kaluar Reali ishte -10 pikë larg Barcelonës dhe në fund fitoi Champions-in. Skuadrat duhet të vlerësohen në mars, sepse për momentin nuk vlen asgjë.

Atëherë do të luhen sfidat vendimtare dhe duhet të kemi kondicionin e duhur për të pasur avantazhe më shumë se kundërshtarët”.

Barcelona- “Vlerësimet nuk bëhen në këto momente. Barcelona për momentin është e dyta në klasifikim në Spanjë, ndërsa vjet thashë që Reali ishte favorit. Pas Barcelonës favoritë jemi edhe ne. Kemi dëshirë që këtë vit të provojmë. Vetëm Barcelona është më e fortë se ne”.

Formacioni- “4-3 dhe pastaj të shohim. Do të rikthehen Matuidi dhe Kielini. Do të jetë e vështirë që të lë jashtë ndonjë, sepse të gjithë janë mirë fizikisht dhe psikologjikisht.

Kuadrado po mëson të luajë në mesfushë. Rëndësi ka që u kthye Pjaniç dhe do të kthehen edhe Khedira me Emre Xhanin”.

Dibala- “Nga Paulo pres që të bëjë një ndeshje të mirë, ashtu si e gjithë skuadra. Jemi përmirësuar shumë në kundërsulme, por duhet të mësojmë që të luajmë shpejt drejt portës kundërshtare. Ka momente të caktuara ku duhet të vrapojmë”.