Kanë nisur edhe lëvizjet e para të futbollisteve femra të Shqipërisë drejt kampionateve më të forta të Europës. Alma Hilaj, vetëm 16 vjeçe, ka pak kohë që ka lënë ekipin e saj që e ka formuar, “Juban Danjen” dhe ka udhëtuar drejt Italisë bashkë me familjarët e saj. Kësaj futbollisteje të talentuar i kanë mjaftuar vetëm pak kohë që të njihet me ambjentin dhe njerëz të ndryshëm i kanë rekomanduar aktivizimin me ekipin e futbollit të femrave të Fiorentinës. Ajo ka nisur stërvitjen me ekipin U-17 dhe trajnerit të tij, i kanë mjaftuar vetëm pak ditë stërvitje për të parë tek Hilaj vlerat dhe autoritetin e një lojtareje me shumë cilësi e për këtë arsye, i ka dhënë edhe shiritin e kapitenes.

Një vlerësim i madh për këtë sportiste e cila në fakt edhe gjatë këtyre viteve që ka luajtur futboll me ekipin e Juban Danjes, ka treguar vlera të mira në fushën e lojës, ndonëse shumë e vogël në moshë. Lajmin për kalimin e futbollistes së tij tek Fiorentina e ka bërë të ditur presidenti i ekipit Juban Danja, Ferdinand Jaku që në këtë mënyrë ndjen keqardhjen për largimin e kësaj sportisteje por nga ana tjetër, është i kënaqur për kalimin e saj tek ekipi i njohur italian ku dhe mund të bëjë karrierë.

© shkodrasport.com