Paraditen e sotme, tre pjestarë të ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, bashkë me trajnerin Bledar Gjeçaj, kanë qenë në zyrën e kryetares së Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi. Arsyeja pse kapiteni Berdica, Ndoja dhe Faslija kanë qenë atje, duket se ka patur të bëjë me një kërkesë të tyre për më shumë mbështetje financiare ngaqë ekipet e tjera rivale me to kanë lëvizur jo pak kohët e fundit në merkato dhe për këtë arsye, ata nuk kanë dëshirë të heqin dorë nga mbrojtja e titullit kampion edhe në sezonin e ri. Por për të ndodhur kjo, sigurisht që duhet edhe më shumë mbështetje. Ai që ka folur diçka në lidhje me këtë takim në zyrën e kryebashkiakes, ka qenë trajneri Gjeçaj që ka deklaruar:

“I kërkuam më shumë mbështetje sepse siç dihet me nivelin që kemi, do ta kemi shumë të vështirë të ruajmë titullin kampion. Presidenti Dibra për momentin ka vendosur të mos investojë dhe prandaj nuk kemi asnjë lojtar të huaj në rradhët tona. Ideja është të gjejmë disa fonde dhe në janar pastaj nëse i sigurojmë ato, atëherë do të ndërhyjmë në pikat ku kemi nevojë për t’u forcuar edhe më shumë dhe për të rivalizuar deri në fund. Kryebashkiakja u shpreh e gatshmë për të na ndihmuar dhe për këtë arsye, në buxhetin e vitit të ardhshëm mund të kemi një mbështetje më të madhe financiare megjithatë të presim sesi do të shkojnë gjërat deri atëherë”. Kampionati i ardhshëm i basketbollit të meshkujve pritet të ketë më shumë rivalitet sepse edhe skuadrat e tjera kanë lëvizur në merkato, megjithatë duhet parë tashmë se çfarë do të bëhet me Vllazninë, skuadrën që ka fituar tre titujt e fundit kampion.
© shkodrasport.com