Kampionatet e reja të volejbollit do të startojnë më 1 tetor megjithatë përpara fillimit të tyre do të zhvillohet një tjetër aktivitet, Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Kjo kupë zhvillohet me pjesmarrjen e katër ekipeve më të mira të sezonit të fundit të cilët luftojnë për fitimin e këtij trofeu. Vllaznia e meshkujve kësisoj do të jetë në garë me tre ekipet e tjera dhe pikërisht me Studentin, Tiranën dhe Farkën. Sipas shortit të hedhur, në gjysmëfinale, ekipi shkodran do të ndeshet me Tiranën.Takimi do të luhet pasditen e së shtunës në kryeqytet dhe sigurisht që objektivi i tij është kalimi i këtij kundërshtari por jo vetëm i tij. Vllaznia që tashmë drejtohet nga trajneri i ri Mark Kroqi, ka si objektiv të parë të këtij sezoni fitoren e këtij trofeu. “Kam vetëm pak kohë që e stërvis këtë ekip megjithatë e njoh mjaft mirë dhe kam besim tek djemtë që janë pjesë e tij. Natyrisht që në çdo garë objektivi është për të hyrë e për ta fituar dhe ky natyrisht që është synimi jonë për këto finale të Kupës”- ka thënë trajneri i ekipit të Vllaznisë Kroqi.Për ta bërë këtë gjë, fillimisht duhet të mundë  njëherë në gjysmëfinale ekipin e Tiranës dhe më pas të presë në finale fituesin e çiftit tjetër gjysmëfinalist, atij në mes Studentit dhe Farkës. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë për të triumfuar por volejbollistët shkodranë duken të vendosur për ta nisur mbarë sezonin e ri me fitoren e kësaj kupe. Sa i takon kampionatit pastaj, pritet një garë shumë e fortë sepse në lojë për fitimin e titullit duken plot 7 skuadra. Përveç katër skuadrave të mësipërme që marrin pjesë në kupë, kanë pretendimet e veta në kampionat edhe ekipet e Partizanit, Teutës dhe Erzenit të Shijakut. Vllaznia aktualisht ka në përbërje  të saj vetëm volejbollistë shkodranë,madje edhe ato jo të plotë sepse Rrashketa ende nuk është bërë gati për lojë pas operacionit që ka kryer, megjithatë do të tentojë për fitimin e këtij titulli aq shumë të kërkuar prej vitesh.
© shkodrasport.com