Volejbollistët e Vllaznisë nuk kanë mundur dot të sigurojnë daljen në finalen e Kupës së Federatës. Kjo ngaqë ata janë eliminuar në ndeshjen gjysmëfinale, atë që sapo përfundoi ndaj Tiranës me rezultatin 2-3. Ka qenë një takim me shumë emocione dhe për rrjedhojë, ai ka shkuar në set final, aty ku bardheblutë janë treguar më të saktë dhe kanë arritur ta fitojnë atë dhe krejt takimin duke qenë ata në finalen e nesërme. Volejbollistët shkodranë në fakt kishin si objektiv fitoren e këtij trofeu por kjo nuk u bë realitet. Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Farka Volej ka arritur të shkaktojë suprizën duke mundur Studentin kampion në fuqi me rezultatin 3-1 dhe është ajo tashmë në finale përballë Tiranës për të diskutuar fitoren e këtij trofeu.
Kupa ishte “nxemje” për këto katër ekipe në prag të nisjes së kampionatit të ri pikërisht fundjavën e ardhshme, kampionat që pritet të ketë shumë rivalitet.
© shkodrasport.com