Shkruar nga Gjergj KOLA
Historia e futbollit shkodran është shkruar me gërma të arta gjatë viteve dhe për të kanë kontribuar me dhjetra e qindra sportistë, trajnerë e drejtues ku secili prej tyre është munduar të lërë një gjurmë në të. Sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, një futbollist i cili ka fituar tre trofe me ekipin shkodran, pikërisht sulmuesi anësor Albert Kaçi.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me ditëlindjen e tij. Berti feston 45 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Albert Kaçi ka lindur më 11 qershor 1981 dhe shumë shpejt do të angazhohej me ekipet zinxhir të Vllaznisë ku spikat fillimisht me atë të paratërinjve të drejtuar nga Artan Bushati dhe më pas me të rinjtë me trajner Ismet Hoxhën ku në vitin 1999 do të shpalleshin edhe kampionë të Shqipërisë.
Ai ishte pjesë e një grupi të talentuar futbollistësh të datëlindjes 1981 dhe shumë prej tyre po atë vit do të angazhoheshin me ekipin e parë të Vllaznisë dhe si rrjedhojë do të ishte edhe pjesë e ekipit kampion në sezonin 2000-2001 ku edhe ai jep kontributin e tij me lojën dhe golat që do të shënonte.
Pak muaj më vonë do të fitonte edhe trofeun e Superkupës së Shqipërisë po me Vllazninë, ekip me të cilin do të luante deri në vitin 2004 sepse më pas do të kalonte tek Elbasani skuadër me të cilën u shpall kampion në sezonin 2005-2006. Provon më pas të largohet drejt Zvicrës ku qëndron pak kohë dhe rikthehet në Shkodër duke iu bashkuar sërish Vllaznisë dhe me të do të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-2008.
Pas largimit nga Vllaznia do të provonte të luante edhe me ekipet e Teutës, Apolonisë, Elbasanit, Besëlidhjes dhe do ta mbyllte karrierën tek Ada e Velipojës. Kudo ku ai ka luajtur, ka lënë gjurmë me talentin e tij. Një futbollist ndonëse shtatëshkurtër, por shumë i shpejtë dhe problematik gjithmonë për mbrojtësit kundërshtar. Një “sallaks” i vështirë për t’u markuar.
Pas lënies së futbollit, do të punonte për disa vite si trajner i ekipeve të moshave pranë Akademisë Vllaznia, ndërsa prej disa vitesh tashmë jeton jashtë vendit bashkë me familjen e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


