Nga Gjergj KOLA

Vllaznia eshte nje klub me nje histori 105 vjeçare dhe padyshim që për lartësimin e këtij emri në vite kanë kontribuar shumë sportistë dhe trajnerë të cilët kanë dhënë gjithçka për këtë fanellë, për këtë emër. Sporti i notit ka qenë ndër më të suksesshmit e këtij klubi në vite.

Kjo nuk do të thotë se është anashkaluar sepse kurrsesi nuk mund të harrohen emrat e mëdhenj të këtij sporti, nuk mund të harrohet familja Shestani, familja Muriqi, nuk mund të harrohet Selami Ibrahimi, Azem Plisi, Tonin Radovani, Sadi Anadolli, Ethem Avdia e shumë të tjerë nga meshkujt, por kurrsesi edhe Anila Egerçi, Mimoza Alia, Rovena Marku, Kudrete Kozmai, Flutura Shkenza e të tjera nga femrat. Apo dhe të trajnerëve të shquar të këtij sporti si Shuajp Mehmeti, Ridvan Gjeçaj, Franc Noga, Smajl Muriqi, Kudrete Kozmaj, Halim Zaganjori etj.

Por sot do të ndalemi tek një kampion i madh i këtij sporti: Ilir Ymeri. Kjo sepse dita e sotme është e veçantë për të sepse ai ka ditëlindjen. Feston 54 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, edhe ne emer te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj, i urojme edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur në Shkodër më 24 prill 1970. Emri i tij nuk po përmendet askund por në sportin e notit ka arritur rezultate që pakkush ka arritur më parë. Në vitet ’80 ai i ka dhënë Shkodrës dhe klubit Vllaznia rreth 80 tituj kampionë si individ.

Ka thyer shumë rekorde kombëtare, ndërkohë që do të mbahet mend nga të gjithë për rezultatet e larta që ka arritur në Spartiadën e 6-të Kombëtare në vitin 1989 kur arriti të fitojë 5 medalje të arta, arritje kjo që nuk e kishte arritur asnjë sportist më parë në historinë e këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Ka zënë vendin e parë në garën 100 m shpinë, 200 m shpinë, 200 m katërnotim, në stafetën 4 x100 m i përzier dhe 4x 200 m stil i lirë stafetë dhe kësisoj është shpallur me të drejtë edhe notari më i mirë i gjithë Spartakiadës së 6-të Kombëtare.

Në garat e stilit shpinë ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, madje njëri prej tyre pati një jetëgjatësi 33 vjeçare derisa u thye pak kohë më parë nga një notar që stërvitet në Austri (kuptohet që në çfarë kushtesh stërvitet ai sot dhe në çfarë kushtesh u pat stërvitur Iliri).

Ilir Ymeri në vitin 1986 rekordi i thyer prej tij ka qenë pak të qindrat e sekondave larg nga rekordi europian për të rinj! Shtoji këtyre edhe titujt e shumtë kampionë që ka fituar duke e bërë atë një sportist të veçantë.

Një nga trajnerët që e ka stërvitur atë, Ridvan Gjeçaj duke folur per kete sportist para disa kohesh, do te shprehej me superlativa për te duke thene: “Ilir Ymeri ka qenë një talent i lindur dhe me punën që kemi bërë me të, kemi arritur rezultate të larta. Dua të them se njërin nga rekordet që ai ka vënë atëherë, vazhdon të jetë ende edhe sot i pathyer. Pra që nga viti 1989, pra prej më shumë se 30 vitesh”./www.shkodrasprot.com