Ai vetë nuk është në gjendje të bëjë një bilanc të sukseseve të tij. Madje sa herë që të rrish me të, ai do të kujtojë diçka që nuk e ka thënë në bisedën e mëparshme. E kemi fjalën për Genc Barkiçin, njeriun shtatëshkurtër por të madh të peshëngritjes shkodrane dhe asaj shqiptare.

Mjafton t’i referohesh CV-së së tij dhe do të kuptosh qartë se vështirë të ketë ndonjë njeri tjetër në Shqipëri me këto suksese si ai. Si sportist dhe si trajner. Një gjë e rrallë megjithatë ai është shumë modest.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai ka ditelindjen. Genc Barkiçi feston 56 vjetorin e lindjes dhe me kete rast, ne emer te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj, i urojme atij edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Fillimet në sport

Genci ka lindur ne Shkoder me 2 janar 1967. Ka qenë Petrit Buliqi, një i afërm i tij, i cili duke parë shkathtësinë që kishte kur luante në lagje, i thotë mundësit të njohur të asaj kohe, Isa Vejuka të cilin e kishte shok, për ta aktivizuar në sportin e mundjes. Isaja sa më pa, e nisi direkt tek trajneri i ekipit të të rriturve Naim Pepa.

Naimi i tha se duhej të fillonte stërvitjen me ekipin e të rinjve për 2-3 muaj sa të mësonte kapjet dhe elementet e para të këtij sporti dhe pastaj do ta merrte në ekipin e tij. Por pikërisht atë ditë ndodhi diçka tjetër që i ndryshoi edhe fatin e jetës time.

Palestra e mundjes ishte e fundit tek klubi Vllaznia. Para saj ndodhej ajo e peshëngritjes dhe e gjimnastikës. Pikërisht atë ditë, duke dalë nga palestra e mundjes, dëgjoi zhurmë tek ajo e peshëngritjes. Futi kokën tek dera dhe pashë Esat Ademin para pedanës duke ngritur shtangën.

U entuziasmua menjëherë dhe vetëvetiu kishte hyrë në palestër. Mesa duket tek kjo palestër ishte lidhur fati i tij. Aty e pa një trajner i cili e pyeti se i kujt ishte dhe babën e tij në fakt e njihje. Kaq mjaftoi që të më ofronte tek peshëngritja. Ky njeri ishte Hamza Çela ose Zuku siç e njihnin të gjithë, që ishte trajneri i ekipit të të rriturve të Vllaznisë në peshëngritje. Ka qenë viti 1983 kur Genci ishte vetëm 15 vjeç dhe këtu e nisi rrugëtimin me këtë sport.

Gjatë karrierës së tij do të arrinte shumë suksese, por vetë kampioni vlerëson shpalljen kampion Ballkani në vitin 1995, e pa dyshim edhe renditja i pesti në Kampionatin Europian në vitin 1992, kur edhe u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Europës”.

-Ky është një nga titujt më të lartë që jep Federata Europiane e Peshëngritjes. Genc Barkiçi u bë i katerti shtangist shqiptar që nderohej me këtë titull pas Agron Haxhihysenit, Pirro Dhimes dhe Fatmir Bushit. Pas tij nuk është nderuar më asnjë tjetër.

Kjo Federatë vlerësonte me këtë titull sportistët që kishin një ecuri gjithnjë në rritje në rezultatet e tyre dhe për rrjedhojë ata kishin vlerësuar ecurinë e peshëngritësit shkodran nga viti 1989 deri më 1992 duke i dhënë këtë titull.

Genc Barkiçi ka 40 medalje të fituara në aktivitetet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë. Ai është një sportis që ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet duke filluar nga Lojërat Olimpike, kampionate botërore, europiane, ballkanike Lojërat e Mesdheut, pa harruar edhe turnetë e ndryshëm.

Pas lënies së karrierës si sportist, Genci nisi atë si trajner ku sërish nuk do t’i mungojnë sukseset. Ai veçon si më të mëdhenjtë shpalljen 2 herë kampion dhe nënkampion bote me të rinjtë me Erkand Qerimajn të cilat kanë qenë një arritje e madhe, pa nënvleftësuar aspak disa tituj europe me moshat më të vogla. Po ashtu, si sukses të madh ai veçon Kampionatin Botëror të viti 2012 kur si trajner i kombëtares shqiptare, arriti që të kualifikojë plot 5 sportistë për në Lojërat Olimpike të Londrës, numri më i madh i deritanishëm.

Tjetër sukses i tij është edhe arritja e vitit 2011 kur ka marrë si trajner medaljen e parë ari në Kampionatin Botëror të të rriturve në dygarësh me sportistin Daniel Godelli, apo dhe vendin e tretë në kampionatin Botëror po për të rritur me Romela Begajn. Pa dalë pastaj tek të tjerë suksese dhe arritje shumë të mëdha.
Gjergj KOLA


Një biografi “e shkurtër” e Mjeshtrit të Europës:

Emri: Genc

Mbiemri: Barkiçi

Datëlindja: 02.01.1967

Vendlindja: Shkodër

Kualifikimet

Ka mbaruar ILKF “Vojo Kushi” në Tiranë, ka kryer një kurs kombëtar 2 mujor të kualifikimit të trajnerëve të peshëngritjes në periudhën tetor- dhjetor 2002. Më pas kurs administrimi nga Komiteti Olimpik Botëror në vitin 2007 dhe kurs në Qipro për trajnim të sportistëve.

Punësimi:

Mësues i edukimit fizik në shkollën “Ali Laçej në vitet 1999-2000, pas këtij viti dhe në vazhdim, mësues në gjimnazin “28 Nëntori”

2001 dhe në vazhdim trajner i ekipeve kombëtare dhe i Vllaznisë
2004-08 anëtar i kryesisë i FSHP-së
2008-12 trajner shteti pranë FSHP-së

Titujt që mban:

“Mirënjohja e Qytetit” të Shkodrës, “Nderi i Sportit shqiptar”, “Nderi i sportit shkodran”, “Mjeshtër i Sportit të Europës”, “Mjeshtër i Sportit Shqiptar”, “Sportist i shekullit” për klubin Vllaznia në vitin 1999″, “Nderi i Federatës” për kontribut të çmuar në zhvillimin e sportit të peshëngritjes si sportist dhe si trajner, Çertifikatë Vlerësimi për rezultate të larta të arritura nga sportisti i tij, dhënë nga Ministri i Sporteve, “Peshëngritës i shekullit” dhënë nga Bashkia Shkodër me rastin e 100 vjetorit të SK Vllaznia.


Sukseset:

16 herë sportisti më i mirë i qytetit të Shkodrës, 13 herë kampion Shqipërie, 11 herë me Vllazninë dhe 2 herë me Dinamon, 8 herë trajneri më i mirë në Shkodër, 1 herë në “10 sportistët më të mirë të vendit” në vitin 1996, pjesmarrës në mbi 60 aktivitete ndërkombëtare.


Si sportist:

Fitues i 40 medaljeve në arenën ndërkombëtare, 1 herë pjesmarrës në Lojërat Olimpike Barcelonë 1992, 3 herë pjesmarrës në Lojrëat Mesdhetare në vitet 1991, 1993, 1997, 12 herë pjesmarrës në kampionatet europiane, 1 herë pjesmarrës në kampionatet botërore në vitin 1989, 3 herë pjesmarrës në kampionatet ballkanike, 3 vende të para dhe 3 vende të treta.


Si trajner:

10 medalje të fituara në Kampionatet botërore për U-20 dhe të rritur, mbi 100 medalje të fituara në kampionatet europiane U-17, U-20 dhe të rritur, 2 herë kampion i Shqipërisë si trajner me Vllazninë.