Në rikthimin pas pushimeve dimërore, Vllaznia do e gjejë veten përballë Partizanit. Kryeqytetasit do jenë kundërshtari i javës së 16-të për kuqeblutë. Raund që do rinisë edhe njëherë edicionin 2022-23. Dueli ndaj të kuqve do jetë në transfertë dhe statistikat e shkodranëve janë me të vërtetë shumë pozitive.

Kështu Vllaznia nuk humbet në Tiranë kundër Partizanit që nga data 24.07.2020. Pra dy vite e gjysmë, ku për herë të fundit “demat” fitonin 3-0, në javën e 35-të të sezonit 2019-20. Ishin golat e Solomon, William dhe Males që do vulosnin suksesin e fundit të të kuqve. Që nga ajo periudhë, Vllaznia nuk njeh humbje në kryeqytet.

Në ediconin 2020-21, shkodranët do merrnin një barazim 0-0 në transfertën, që në fakt zhvillohej në “Elbasan Arena”. Po në atë sezon, Vllaznia fitonte 0-1 kundër Partizanit në “Air Albania” falë një goli të Markut. Sezoni 2021-22 do i shikonte sërish të pamposhtur shkodranët në kampionat ku barazonin sërish 1-1 në transfertë kundër Partizanit, me ndeshjen që po ashtu u zhvillua në Elbasan.

Po ashtu 1-1 do ishin shifrat edhe të duelit të fazës së tretë në “Air Albania” ku golin e Latifit e arrinte Cara. Në kupë po atë sezon, Vllaznia merrte barazimin 0-0 në transfertë, për tu kualifikuar më pas në “Loro Boriçi” falë penalltive kundër Partizanit.

Një traditë të tillë kuqeblutë do përpiqen ta vijojnë edhe në vitin e ri. Kjo për faktin edhe për tu afruar sa më shumë me kreun që mbahet pikërisht nga Partizani në kuotën e 29 pikë. 7 më shumë se Vllaznia që momentalisht ka 22 pikë.
Endri ÇINARI