Guilherme Alvesh dhe Fabio Acencar janë dy brazilianët “e prenotuar” nga drejtuesit e Vllaznisë. Ata pritet të mbërrijnë në Shkodër në ditët në vazhdim dhe do jenë, ashtu si dhe dy serbët, në provë për disa ditë. Drejtuesit e klubit shkodran u kanë dërguar edhe ftesën përkatëse klubeve të tyre në Brazil dhe tashmë pritet vetëm mbërritja e tyre në Rinas. Nuk ka shumë të dhëna për këto futbollistë por nga sa merret vesh, Alvesh është 22 vjeç dhe luan si sulmues I dytë ndërsa për Acencar ka pak të dhëna por merret vesh që është sulmues. Këto dy futbollistë do jenë në provë disaditore ndërkohë që trajneri Vata nuk ka asnjë informacion shtesë për ta. Thjesht ka parë disa videokaseta të tyre dhe kaq. Por Alvesh dhe Acencar nuk do jenë brazilianët e vetëm që do testohen tek Vllaznia. Në ditët në vazhdim, me shumë mundësi do vijnë edhe dy të tjerë. Këta në fakt nuk janë të panjohur sepse kanë luajtur në kampionatin shqiptar. Denis Viana Da Silva I Bylisit dhe Fernando Da Silva I Apolonisë janë të prferuarit e drejtuesve të Vllaznisë në merkaton e janarit. Trajneri Rudi Vata duket se I njeh mirë aftësitë e këtyre dy lojtarëve dhe prandaj ka shprehur dëshirën t’I këtë në skuadër. Njohjet për mbrojtësin që ka luajtur deri pak kohë më parë me Bylisin, Vata I ka prej kohësh ndërkohë që thuhet se për mbrojtësin tjetër, Da Silvën e Apolonisë vetëm në ndeshjen e para tre javëve kur shkodranët luajtën në Fier. Në atë ndeshje ai ka qenë ndër më të mirët në fushë duke mos e lënë për asnjë moment të lirë Sukajn. Pikërisht  që nga ajo ndeshje, shkodranët e kanë pikasuar dhe mendojnë ta bëjnë pronë të tyre në merkaton e janarit. Tek Vllaznia kësisoj pritet të mbërrijë një “koloni” brazilianësh.