Mesatare brenda normave ose kështu duket për momentin të paktën. Përpara Milan-Sampdoria, çifti HiguainKutrone “udhëtonte” me një mesatare prej një goli çdo 35 minuta. Mbrëmjen e së dielës, Gonzalo dhe Patriku ndanë në fushë 76 minuta, shënuan nga një gol secili dhe i dhuruan tri pikë skuadrës me bashkëpunim me Suson. Mesatare e çmendur nëse do të realizohej gjithmonë, sepse për Gatuzon dhe të tijtë do të thoshte që ndeshjet do t’i nisnin në avantazh të dyfishtë.

Është ky efekti i marrëdhënies italo-argjentinase, që premton mirë, për të mos thënë shumë mirë. Të dielën, sulmuesit kuqezinj u kërkuan në fushë gjatë gjithë takimit. Pas 22 minutash erdhi përqafimi i parë ku mori pjesë i gjithë ekipi, e më pas një tjetër në minutën e 76-të që ishte më personal. Studenti nga Komo merr mësime nga mjeshtri i lindur në Brest dhe të dy së bashku shkërmoqën mbrojtjen më të mirë të Serisë A deri dy ditë më parë. Gatuzo minimizoi efektin e skemës 4-4-2, por Milani me “nëntëshin” e dyfishtë funksionon dhe kjo u pa.

BRUMË I NJËJTË – Sa shumë ngjajnë ata të dy. Instinkti vrasës i karakterizon, por edhe loja si pyka dhe karakteri i egër. Protesta me këmbë e duar, kundërpërgjigje rivalëve dhe fjalë me arbitrin janë ndër njollat e tyre, por në fushë çuditërisht plotësohen anasjelltas. Në gusht askush nuk do ta kishte menduar se Gonzalo Higuain do të niste sezonin me Milanin në këtë mënyrë.

Prania e një tjetër “rreziku” heq vëmendjen e kundërshtarit ndaj Gonzalos, teksa qortimet publike të Gatuzos kanë ndikuar për ta bërë më të qetë argjentinasin. “El Pipita” përpara ndeshjes bënte thirrje për bashkim, teksa pas asaj që u pa në fushë, edhe postimi i djeshëm merr më shumë kuptim. Siç thoshte Higuaini në postimin e fundit: “Së bashku është edhe më mirë”. Më qartë se kaq…

LIDERI GONZALO – Në fakt, së bashku në fushë duket më mirë, të paktën me aq sa u pa ndaj Sampdorias. Gatuzo konfirmoi artilerinë e rëndë, e me shumë gjasa do ta ripropozojë edhe nesër ndaj Xhenoas, por ndeshjet fitohen edhe mendërisht, përveçse taktikisht. Qëllimi kryesor ishte rikthim i Higuainit pas dy ndeshjeve të “heshtura” kundër Interit dhe Betisit. Përveç fitore, edhe ky mision u realizua.

Është thelbësore përfshirja e sulmuesit argjentinasit, i cili ka qenë pjesë aktive e gjashtë nga shtatë golat e fundit të Milanit në Serinë A. Për Kutronen, problemi i vetëm deri më sot ka qenë kavilja dhe sapo ajo u shërua, ai nisi gjahun e zakonshëm ndaj portierëve rivalë. Që djaloshi ka cilësi, ishte parë në debutimin e vitit të kaluar në kampionat, kur kundër Krotones shënonte dhe asistonte. I njëjti rezultat edhe të dielën mbrëma, debutimi i tij në Milanin me dy pika.