Fitorja e djeshme e Shqipëria U17 me rezultatin 1-0 ndaj Azerbajxhanit në ndeshjen e fundit eliminatore, kuptohet që mori vëmendjen e duhur dhe për më tepër, që ka qenë e vetmja fitore për këtë kombëtare.

Autor i golit të vetëm për kuqezinjtë ka qenë Mario Mitaj. Menjëherë pas ndeshjes, nuk kanë munguar intervistat me këtë lojtar dhe interesimi për të sepse ka spikatur vërtetë me performancën e tij.

Por ajo çka është më e keqja, askund nuk u fol për origjinën e tij. Vërtetë Mario ka lindur më 6 gusht 2003 në Athinë por origjina e tij është nga Vermoshi.

Prindërit e tij kanë emigruar herët dhe ai ka lindur në Greqi në fakt por lidhja e tij me Shqipërinë është shumë e afërt. Ka nisur të luajë futboll me ekipet zinxhir të AEK dhe talenti i tij ka rënë në sy më herët, sepse Greqia i ka bërë ftesë për të luajtur me ekipin U-15.

Por mungesa e pasaportës greke bëri që Mario Mitaj të mos grumbullohet me përfaqësuesen U-15 të shtetit fqinj. Rrjedhimisht sapo i ka ardhur ftesa nga kombëtarja shqiptare në qershor të këtij viti, ai i ka thënë “po” dhe është vënë nën urdhërat e stafit teknik të saj.

Një nisje e shkëlqyer sepse dje shënoi të parin gol. Ndonëse më i riu në moshë, ai ka spikatur me paraqitjet e tij. Luan me këmbën e majtë dhe mund të aktivizohet me sukses në 2-3 pozicione, atë të mbrojtësit të krahut të majtë, mbrojtësit të qendrës por edhe si shkatërrues në mesfushë.

Një lojtar i ëmbël me topin dhe shumë i qetë. Jo më kot, dje trajneri
Mustedanagiç i besoi Mitajt gjuajtjen e 11-metërshit dhe ai nuk gaboi
duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë fitoren Shqipëria U17
ndaj Azerbajxhanit.

Në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes së djeshme, ai është shprehur: “Ishte krenari që shënova për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Shokët më thanë bravo për golin dhe më uruan suksese dhe sa më shumë gola.

Kjo është hera e dytë që grumbullohem me kombëtaren. Ambienti më duket mirë. Aktualisht luaj me AEK dhe dëshira ime është të bëj kontratë me ekipin e parë të AEK. Do mundohem të arrij sa më lart”.

Gjithsesi karriera për 15 vjeçarin me origjinë nga Vermoshi sapo ka nisur. Dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. E rëndësishme është që ai të vazhdojë përpara sepse të dhënat për këtë i ka.
Gjergj KOLA