Viti 2020 ka qenë te jetë problematik për arbitrat shqiptarë. Vendimet e tyre në Superiore që nga 21 janari dhe deri tani kanë lënë shumë për të dëshiruar. Gabimet kanë qenë në atë shkallë saqë kanë rrëmbyer pothuajse sistematikisht vëmendjen.

“Panorama Sport” që skanon me paanshmëri ndeshjet pas çdo jave nëpërmjet rubrikës së saj “moviolë”, të gjitha rastet e diskutueshme, vendosi të bëjë një analizë vetëm të takimeve që janë luajtur në vitin 2020.jorgji asistentet arbitrat

Qëllimi fillestar i vetëm është që të kuptohet nëse gjyqtarët vërtet e kanë tepruar me gabimet, apo ndoshta po u kërkohet një nivel arbitrimi i paarritshëm dhe ata po ndiejnë presionin. Në 9 javë të luajtura këtë vit, ose e thënë ndryshe në 45 ndeshje të zhvilluara, rezulton se 18 prej këtyre takimeve janë vendosur nga gabimet e arbitrave.

Jo thjesht nga vendimet e tyre (sepse një penallti e drejtë nuk e cenon ndeshjen), por bëhet fjalë për vendimet e gabuara. Pra, me një llogari të thjeshtë, 40% të ndeshjeve të këtij viti deri më tani janë vendosur nga arbitrat. Shumë. Vërtet shumë…

PSE NDODH

Ka disa faktorë dhe ndonjëherë pa dyshim edhe fati nuk të ndihmon. Një pjesë e gabimeve kanë qenë shumë të diskutueshme dhe në këtë pikë arbitrat duhet të mirëkuptohen. Sot polemika ka edhe në vendet ku aplikohet sistemi VAR dhe nuk mund të pretendohet perfeksion. Por, në disa raste gjyqtarët gabojnë aq trashë dhe veprojnë me një arrogancë që ngjall dyshime.

Fakti që një klub si Luftëtari është më i penalizuari, apo edhe Skënderbeu (që luan pa objektiv), vështirë se mund të quhet rastësi. Shpesh në Shqipëri njerëzit me “bluza të zeza” anojnë nga klubet që kanë ende një objektiv dhe penalizojnë ata që e kanë prerë biletën për të rënë nga kategoria. Pas një arbitrimi tejet autoritar të Juxhin Xhajës në derbi, u mendua se mund të vinte kthesa e gjyqtarëve, por me atë që u pa javën e fundit, duket se ka nevojë për një reflektim të thellë dhe të menjëhershëm.