Presidenti i Juventusit Andrea Anjeli që nga dita e djeshme është zyrtarisht edhe president i ECA, shoqatës së klubeve europiane, në të cilën është e anëtarësuar prej pesë vitesh edhe Vllaznia. Një vendim i tillë ka ardhur pas zgjedhjeve të bëra nga Bordi i kësaj shoqate. Ai ka zënë vendin e presidentit të mëparshëm Karl Hainc Rrumenige që e drejtonte këtë shoqatë që nga viti 2008. Në zgjedhjet e bëra ditën e djeshme në Gjenevë të Zvicrës, ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi i klubit Vllaznia Dritan Gjyrezi, i vetmi nga Shqiperia.

Përveç klubit shkodran, i anëtarësuar nga Shqipëria në këtë shoqatë është edhe Kukësi ndërkohë që ka qenë edhe Tirana por me rënien e saj nga Superliga, ajo nuk është më anëtare e ECA. Kjo shoqatë prej disa vitesh ka patur një ndikim të madh tek UEFA për përcaktimin e shumë rregullave që kanë të bëjnë me funksionimin e klubeve, të të drejtave televizive dhe shumë gjëra të tjera. Me Anjelin në krye tashmë, padyshim që ajo do të bëhet edhe më e fortë dhe zëri i saj do të dëgjohet fort nga institucionet e tjera.

© shkodrasport.com