Kastrioti do të kërkojë të mos dalë pa fitore në ndeshjen që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:00 në stadiumin e Kamzës kundër Vllaznisë. Skuadra krutane i ka dhënë fund përgatitjeve, teksa është grumbulluar në resortin “Nord Park” në afërsi të Fushë-Krujës.

Trajneri i sapoardhur Ardian Mema ka punuar shumë faktikisht në stërvitjen e fundit, duke përgatitur “kurthin” që do të rezervojë ditën e nesërme kundër Vllaznisë.

Tekniku i Kastriotit pritet që të hedhë në fushë një formacion të kujdesshëm, në një kohë që do të ketë ndryshime si për sa i përket rreshtimit, por edhe futbollistëve, teksa krutanët do të jenë të plotë për ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Kështu, në portë do të jetë i zakonshmi Sali. Ndërkohë që, mbrojtja do të jetë me disa ndryshime nga ndeshjet e fundit të Kastriotit. Në këtë repart, Prenkoçaj do të luajë nga e djathta, së bashku me Stojanoviç dhe Adolf Selmanin në qendër, ndërsa në të majtë do të jetë Rami.

Në mesfushë përpara mbrojtjes, trajneri Mema do t’i besojë kapitenit Abaz Karakaçi, për të qenë si titullar në fushë nga minuta e parë kundër ekipit të qytetit të tij. Në mbështetje të sulmuesit brazilian Morbeck, do të jenë Greca dhe Zogaj në krahë, ndërsa në qendër të mesfushës do të vendosen edhe Mehmeti dhe mesfushori shkodran, Edon Hasani.

Me këtë 11-she, Kastrioti do të synojë të marrë fitoren ndaj Vllaznisë, në ndeshjen që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:00 në stadiumin e Kamzës. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Kastriotit (4-1-4-1): Sali, Prenkoçaj, Stojanoviç, A. Selmani, Rami, Karakaçi, Greca, Mehmeti, Hasani, Zogaj, Morbeck Tr: Ardian Mema