Kristjan Vulaj harrohet totalisht nga trajneri Mirel Josa. Prej shtatë ndeshjesh radhazi, 6 prej të cilave në kampionat dhe një në finalen e Superkupës, fantazisti nga Tuzi nuk ka marrë asnjë minutë, paçka se ka qenë pjesë e stolit të rezervave.

I mbërritur në Shkodër gjatë merkatos së verës si një prej përforcimeve që do t’i bënte shumë punë Vllaznisë në rolin e fantazistit, pikërisht numrit 10, Vulaj jo vetëm që nuk preferohet si titullar, por nuk shikohet tashmë as si alternativë e dytë apo e tretë.

Ai është një prej lojtarëve më të paguar në skuadër, por Josa e ka bërë të qartë, se me skemën që përdor, Vulaj nuk përshtatet. Gjithashtu trajneri ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend të ndryshojë variantin taktik për t’i gjetur 24-vjeçarit vendin e titullarit.

Shqiptari nga Mali i Zi ka qenë për herë të fundit në fushë më 7 tetor, ku u fut si zëvendësues në humbjen ndaj Partizanit në “Loro Boriçi”.

Fantazisti është stërvitur normalisht me grupin dhe nuk ka pasur probleme fizike. Sipas “Panorama Sport”, kjo situatë mund të sjellë edhe largimin e tij në janar, por se në mes është kontrata, teksa në qershor 2022 ka zyrtarizuar firmën për tri vite me Vllazninë.