Ardit Krymi po bën mjaft mirë në Bjellorusi tek Shakhtyor Soligorsk. Mesfushori shkodran është kthyer në një titullar fiks tek ekipi bjellorus në rrugëtimin për t’u shpallur kampion. Dita-ditës, 26-vjeçari po shndërrohet në një lider tek Soligorsk dhe pak nga pak po bëhet shtylla e mesfushës së këtij ekipi. Krymi u aktivizua edhe në fazën Play-Off të Conference League, ku tregoi një formë të mirë.

Në kulmin e karrierës së tij, patjetër që meriton një ftesë nga Kombëtarja, duke qenë se miqësorja me Arabinë është përpara dhe po ftohen shumë futbollistë që nuk kanë qenë më parë në grumbullimet me kuqezinjtë, teksa pse mos t’i jepet mundësia edhe futbollistit shkodran.

Në fakt, për Krymin duhet të lobohet që të thirret në Kombëtare dhe dikush duhet t’i “dërgojë mesazh” FSHF për të, ashtu siç bëri para pak kohësh edhe Andi Lila, teksa i kërkoi trajnerit Edoardo Reja që ta grumbullojë këtë futbollist me kuqezinjtë.

Interesimi për të ka qenë i madh në periudha të ndryshme të merkatos, teksa mesfushori 26-vjeçar ka qenë nga më të lakmuarit prej skuadrave të tjera.

Kujtojmë se, Ardit Krymi është rritur në skuadrat e moshave të Vllaznisë dhe ka debutuar në ekipin e parë në 2014-ën, kur ishte vetëm 18-vjeçar, ndërsa këtë vit po luan sezonin e parë jashtë Shkodrës, pikërisht në Bjellorusinë e largët me Shakhtyor Soligorsk, aty ku po bën mjaft mirë dhe padyshim që mesfushori shkodran e meriton një ftesë në Kombëtare për miqësoren e 26-tetorit ndaj Arabisë Saudite.
Maringlen ZHIVANI