Drejtori sportiv i Egnatias, Ndriçim Shtubina, mendon se me emërimin e trajnerit të ri Shpëtim Duro në krye të rrogozhinasve, ky ekip do të ketë ndryshime për mirë, por edhe ngjitje më lart në tabelën e renditjes. Ish-futbollisti shkodran thotë se Duro e njeh shumë mirë kampionatin dhe prandaj u vendos që të ishte ai në krye të Egnatias.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, i pyetur edhe për Vllazninë, Shtubina u shpreh se shkodranëve po u mungojnë pikët, edhe pse kanë një ekip cilësor, ndërsa zbuloi se në një të ardhme të afërt, mund të ketë edhe një Shtubina tjetër me kuqeblutë, pikërisht djalin e tij.

“Detyra si drejtor sportiv? Për mua, është diçka e re, por e rëndësishme. Unë mendoj që kemi bërë një ekip shumë të mirë, por të shohim në vazhdimësi.

Largimi i Tetovës dhe emërimi i Duros? Tetova u largua prej rezultateve negative, por ai është një djalë shumë pozitiv dhe shumë punëtor. Unë mendoj që u largua edhe nga fati, por tashmë duhet të shikojmë përpara. Në fakt, vendosëm që të marrim një trajner si Duro, pasi ne i besojmë eksperiencës së tij.

Mund të ketë ndryshim për mirë Egnatia me Duron? Unë mendoj që po, sepse Duro e njeh shumë mirë kampionatin dhe i di shumë mirë vështirësitë që ka ky kampionat. Realisht, unë njoh edhe mënyrën se si punon Duro, pasi e kam pasur trajner tek Vllaznia.

Ndeshja ndaj Kukësit? Po, në fakt është ndeshje e vështirë, por ne kemi besim, sepse e kemi treguar me çdo skuadër që kemi luajtur. I kemi dominuar të gjitha me lojë.

Vllaznia? Po, e kam ndjekur. Unë mendoj se Vllaznia ka skuadër shumë të mirë, por edhe ajo vuan nga pikët.

Shtubina tjetër në futbollin shqiptar? Po, është djali im. Ai është në Akademinë e Egnatias, luan si sulmues dhe shpresoj që të bëhet futbollist profesionist. Dëshira ime është që ta shoh, duke luajtur në Superiore me dy fanella, Egnatia dhe Vllaznia”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori sportiv i Egnatias, Ndriçim Shtubina.
Maringlen ZHIVANI