Në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit nuk ka qenë në fushë për shkak të kartonave por Ardit Krymi e vlerëson atë fitore si shumë të rëndësishme. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” numri 6 i Vllaznisë do të shprehej:

“Fitorja e arritur ndaj Kastriotit ishte shumë e rëndësishme, pasi dihet se fusha e kësaj skuadre është nga më të vështirat në kampionatin shqiptar. Unë mendoj se me këtë fitore, Vllaznia është kthyer edhe më e fortë. Tani duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Kemi treguar se nuk kemi frikë asnjë skuadër dhe kështu duhet të vazhdojmë.

Ne gjithmonë duhet të japim maksimumin sepse ndryshe nuk mund të qëndrojmë në krye. Duhet të jemi të bashkuar dhe të japim gjithçka në stërvitje dhe në fushëne lojës. Mendoj se ishte një krizë rezultatesh ajo që kaluan dhe plus kësaj, fati nuk ka qenë me ne. Jam i kënaqur se kemi qëndruar të gjithë të bashkuar që të dalim prej asaj situate të vështirë dhe ia dolëm”- është shprehur mesfushori i kuqebluve”.

Ndërkohë skuadra ka tashmë dy javë në dispozicion për t’u përgatitur për sfidën e rradhës, atë që do të luajë ndaj Partizanit të shtunën. Duke folur në lidhje me këtë përballje shumë të rëndësishme, Krymi do të shprehej:

“Këto dy javë po na shërbejnë për t’u rigjeneruar në të gjitha drejtimet. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe jam i bindur se të gjithë do të jenë të motivuar për të dhënë maksimumin. Duhet të qëndrojmë në vend të parë edhe pas ndeshjes me Partizanin sepse i kemi mundësitë.

E rëndësishme është që duhet të japim shpirtin në fushën e lojës. Jam i sigurtë se nuk duhet të kemi problem për të arritur të fitorja në këtë ndeshje. Ndeshja me Partizanin nuk është vendimtare pasi janë edhe shumë të tjera për t’u luajtur. Nuk është e tillë as për ne dhe as për kundërshtarin./SHKODRA-SPORT.COM/