Ky sezon po i shërben drejtuesve të Adës për të promovuar edhe shumë futbollistë të rinj të cilët duket se kanë shumë të ardhme në këtë sport. Njëri prej tyre është edhe Arlind Ferhati. Karriera e tij ka nisur në Kanada ku ka jetuar për vite me rradhë bashkë me familjen e tij dhe më pas në Itali. U rikthye në Shqipëri me dëshirën e madhe për të gjetur vend tek Vllaznia por hapësirat ishin të vogla dhe në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Dinamos.

Arlind Ferhati ka qenë edhe pjesë e kombëtares U-21 në një periudhë ndërsa sivjet ka zgjedhur të luajë për Adën. Deri më tani i ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar. Në Pukë, në ndeshjen e fundit ndaj Tërbunit, ai ka shënuar të parin gol për skuadrën velipojake. Natyrisht duke shpresuar të mos jetë i fundit. Vetë ai është optmist se gjërat do shkojnë mirë në të ardhmen e për këtë arsye, për gazetën ai thotë: “Detyra ime është që ta ndihmoj sa më shumë skuadrën për të shënuar gola. Ashtu si unë edhe Kiri jemi të përgatitur për të bërë më të mirën për Adën dhe shpresoj shumë që të justifikojmë edhe besimin që po na jep trajneri. Jemi vetëm 20 vjeçarë të dy dhe kjo përvojë do të na shërbejë shumë për të ardhmen”. Vetë kjo deklaratë tregon se mosha e tyre e re i bën ata të jenë të ndjeshëm për të nesërmen që i pret. Sigurisht që vlerëojmë shumë edhe mbështetjen që u jep trajneri Kreshnik Krepi e për këtë, sulmuesi Ferhati do të deklaronte: “Jo vetëm ne të rinjtë që po gjejmë mbështetje tek ky trajner por edhe i gjithë ekipi ndjehet më ndryshe me ardhjen e profesor Krepit në krye të skuadrës. I gjithë ekipi ndjehet më shumë entuziast dhe në rradhët e tij ka më shumë dëshirë”. I gjatë 1.86 m, me peshë trupore 78 kg, Arlind Ferhati ka tiparet e një sulmuesi që premton shumë për të ardhmen. Kuptohet që ëndërra e tij është të luajë me Vllazninë në një kohë sa më të shpejtë megjithatë tani është duke menduar për Adën. Ta ndihmojë sa më shumë atë por edhe veten të rritet në aspektin profesional. Pas golit me Tërbunin, 20 vjeçari premton se do të kërkojë të shënojë edhe këtë të shtunë ndaj krutanëve. “Ndaj Kastriotit jemi të përgatitur për ta kaluar me sukses. Dëshira ime e madhe është që t’i shënoj edhe këtij kundërshtari por në fakt më e rëndësishme është fitorja e ekipit tonë. Mendoj se kemi motivin e duhur për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë kemi për ta treguar në fushën e lojës. Luajtja e ndeshjeve tona në stadiumin e Pukës ku kemi mbështetjen e tifozërisë vendase, është një plus i madh për ne dhe prandaj besoj se kjo mbështetje do jetë e madhe edhe për ndeshjet në vazhdim”- shprehet në prononcimin e tij për gazetën tonë sulmuesi i Adës Arlind Ferhati.
Gjergj KOLA