Armando Broja ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një shkrim të gjatë teksa i drejtohemi ditës së fundit të vitit. Sulmuesi i Chelsea dhe Kombëtares Shqiptare e konsideron këtë vit si më të vështirin në karrierë kjo, për faktin e dëmtimit të frikshëm që pësoi në miqësore që do ta mbajë larg fushave për shumë muaj. Megjithatë, shpresat nuk janë shuar dhe Broja beson se kjo do ta bëjë atë më të fortë dhe mezi pret rikthimin në fushën e blertë.

“Ndoshta viti më i vështirë i jetës sime deri më sot. E bukura e kësaj bote është se gjithmonë ka shanse dhe mundësi që ju presin në të ardhmen. Nuk jam aspak perfekt si person apo lojtar, por përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes çdo ditë për njerëzit që më interesojnë më shumë, por edhe për njerëzit që më shikojnë dhe presin më shumë nga unë.

Marr gëzim dhe lumturi në fushën e futbollit dhe jam mjaft me fat dhe mirënjohës që mund ta ndaj çdo ditë me ju djema. Kjo padyshim që më lëndon shumë që nuk mund të bëj punën ose sportin që na pëlqen për një periudhë të gjatë kohore.

Është gjithmonë e vështirë për t’u pranuar, por me njerëz të mirë rreth meje dhe ata pak njerëz që e bënë këtë vit më të mirë për mua, unë do tw rikthehem akoma më i mirë. Jam 100% i sigurt për këtë. Edhe një herë dua të them faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, kjo më ndihmon gjithmonë në kohë si këto.”-shkruan Broja.