Arbitrimi është një profesion dhe pasion aq sa i bukur po aq edhe i vështirë. Sfidat dhe problematikat që ka ky profesion në sportin tonë bëjnë që shumë të rinj të mos e konsiderojnë diçka të vlefshme për të ardhmen. Por ka edhe nga ata që “guxojnë” dhe provojnë fatin e tyre.

Për Newsport.al, flet Armando Isufi. Arbitri 20 vjeçar i kolegjiumit të Shkodrës tregon se si e ka trashëguar një pasion të tillë nga babai i tij Artur Isufi, xhaxhai Astrit Isufi si edhe nga daja Pajtim Lapi. Ai tregon për sfidat që ka një profesion i tillë në futbollin tonë, por edhe bukurinë dhe kënaqësinë që të dhuron arbitrimi.

– Si fillim Armando, kur dhe si lindi ky pasion i yti për arbitrimin ?
Arbitrimin për herë të parë e kam filluar në dhjetor të vitit 2013. Isha vetëm 17 vjeç kur fillova të merresha fillimisht me të. Si pasion e kam të trashëguar nga familja pasi kam pasur babin tim Arturin, xhaxhain Astritin dhe dajën tim Pajtim Lapi që kanë qenë arbitra. Tashmë jam 20 vjeç dhe kam arbitruar mbi 200 ndeshje në ligën profesioniste. Gjatë këtyre viteve jam shpallur arbitri i prespektivës në vitin 2014. Tani po punoj që të kaloj në Kategorinë e Dytë si arbitër kryesor.

– A është arbitrimi një lloj karriere e sigurtë apo vetëm një hobi ?
Arbitrimi them se është një karrierë e sigurtë për një person që dedikohet dhe punon shumë dhe një hobi për një person dembel që nuk ka ecuri të madhe. Është një karrierë e sigurtë pasi vlerësohesh në bazë të punës qe bën (ana fizike, teorike dhe praktike në një ndeshje). Për një njeri që punon shumë edhe fitimet nga ana profesionale dhe ekonomike do rriten. Është një karrierë e sigurtë sepse nuk të pengon nga asgjë sepse ndeshjet thuajse gjithmonë janë në fundjavë e cila është gjithmonë e lirë.

– Cilat janë sfidat e arbitrave në futbollin tonë ?
Sidat e mëdha mund të them se janë disa për arbitrat në futbollin tonë. Duke filluar nga kushtet e vështira ku stërviten arbitrat, pasi gjithmonë stërviten në ambiente të hapura. Një sfidë e madhe për një arbitër është edhe kontrollimi i gjendjes emocionale të tijën, por edhe të lojtarëve në fushën e lojës.

– Është e vështirë që të jesh njeriu që do mbajë përgjegjësi me gjykimin e tij në fushë ?
Patjetër që është e vështirë dhe sidomos në futbollin dhe në vendin tonë. Kjo pasi arbitri këtu paragjykohet shumë lehtë dhe kjo mendoj se nuk është e drejtë. Duhet të kuptojmë se edhe arbitrat njerëz janë dhe mund të gabojnë. Gabimet nuk është se bëhen me qëllim, por ata ndodhin në varësi të një episodi gjatë lojës.

– Ndonjë idhull apo shembull të cilin ndjek personalisht ?
Po, mund të them se idhulli im është Pierluigi Collina. Shoh shpesh video të tij në internet dhe më pëlqen shumë mënyra se si ai i arbitronte ndeshjet. Vendosmëria dhe karakteri i tij i pathyeshëm më bëjnë që ta ndjek si shembull.

– A do të të shohim së shpejti duke arbitruar në nivelet më të larta të futbollit tonë dhe jo vetëm ?
Që të shkoj në nivelet e larta duhet një punë shumë e madhe si në çdo fushë. Duhet koha e duhur për tu forcuar. Unë jam duke punuar shumë dhe fort që një ditë të kap nivelet më të larta të arbitrimit. /Endri ÇINARI/