“Lufta” ka nisur. Tirana apo Vllaznia? Kush do të jetë skuadra kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj këtë sezon? Në secilin kamp betohen se do jenë ata kampionë. Por basketbollisti shkodran Nikolin Arra nuk mendon kështu. “Edhe dy sezone të tjera kur jemi përballur në finale me Tiranën, në mënyrë të çuditshme në media apo në opinion, kundërshtari konsiderohej favorit për titullin. Sfidat finale në fakt treguan tjetër gjë. Ishim ne që u shpallëm kampionë dhe besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Përsëri Tirana konsiderohet favorite sepse ka bërë një investim të madh për të krijuar këtë ekip që ka sivjet. Por duket se na nënvlerësojnë. Më mirë kështu që po ndodh kështu. Ata le të mburren duke thënë se janë më të mirët ndërsa ne do të shpallemi kampionë”- ka thënë shtatëlarti shkodran. Por para se të mbërrijnë tek play off-i i kampionatit, këto dy ekipe do të përballen pasditen e së enjtes në “Asllan Rusi” për të diskutuar finalen e Superkupës. Arra është i vendosur për fitore edhe të këtij trofeu. “Ju ndoshta pyesni se kë do të zgjidhnim ne, Superkupën apo titullin kampion? Unë them të dyja. Vllaznia i ka forcat e mundësitë për t’ia dalë me sukses. Ka përbërjen e duhur, stafin e duhur dhe mbi të gjitha tifozët e zjarrtë shkodranë që mbeten të veçantë dhe të gjithë sëbashku, do ia dalim me sukses”- ka thënë ai.

© shkodrasport.com