Kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe rimarrja e vendit të parë në kampionat, janë tregues që të bëjnë të mendosh se Vllaznia është rikthyer sërish aty ku i takon të jetë.

I këtij mendimi ka qenë protagonisti i dy ndeshjeve të fundit, futbollisti i saj Arsid Kruja. Ai shënoi golin e kualifikimit në ndeshjen e kupës ndaj Korabit dhe po ashtu dha krosin për Ardit Hoxhajn tek goli kundër Kastriotit.

Kruja ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa, teksa ka premtuar se edhe në ndeshjen e rradhës, atë ndaj Partizanit, skuadra do të luftojë vetëm për fitore.

“Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe besoj se e keqja është lënë pas, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos kalojmë në eufori. Duhet të shohim vetëm tek ndeshja e rradhës dhe asgjë më shumë.

Ne arritëm të gjejmë forca dhe arritëm të kthehemi aty ku ishim dhe ku na takon të jemi. Por kampionati është shumë i gjatë, ka rivalitet shumë i fortë dhe pse jo, ta mbajmë vendin e parë deri në fund.

Kemi treguar se jemi një ekip me karakter kundër ekipeve të mëdha dhe padyshim që do të synojmë ta fitojmë edhe ndeshjen me Partizanin. Do mundohemi deri në fund të japim maksimumin dhe të arrijmë objektivin që kemi këtë vit”- është shprehur numri 14 i kuqebluve./SHKODRA-SPORT.COM/